Zjarre në disa fshatra të Istogut, Ferati: Situata është alarmante, kujdes maksimal nga të gjithë

Pas situatës së krijuar nga zjarret në fshatrat Kovragë, Veriq, Osojan dhe Gurrakoc të Komunës së Istogut situata është alarmante dhe kërkon vëmendje dhe kujdes maksimal nga të gjithë.
Kështu bëri të ditur përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati.
Sipas tij, së bashku me ekipet e zjarrfikësve, Policinë e Kosovës dhe institucionet përgjegjëse, janë në terren dhe po punojnë me të gjitha kapacitetet për të lokalizuar dhe shuar vatrat e zjarrit, me qëllim që të parandalojë përhapjen e tyre dhe të mbrojnë pronat, tokat bujqësore dhe sigurinë e banorëve.
“Apeloj te çdo qytetar i Istogut që të tregojë kujdes maksimal, veçanërisht në zonat bujqësore dhe pyjore dhe të mos digjin barishta, mbeturina apo sende të tjera, pasi edhe një shkëndijë e vogël mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe të pakthyeshme. Në rast se vëreni zjarr ose tym, ju lutem lajmëroni menjëherë zjarrfikësit ose Policinë”, ka shkruar Ferati. /Telegrafi/


















































