Një shtëpi është përfshirë nga zjarri të hënën pasdite në rrugën “Enver Hadri” në Prizren, duke shkaktuar dëme materiale dhe lëndimin e dy personave nga asfiksimi me tym.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur rreth orës 17:35.


Sipas tij, patrulla policore ka dalë menjëherë në vendngjarje dhe ka kontaktuar me ankuesin, i cili ka deklaruar se në rrethana ende të panjohura kishte shpërthyer zjarr në katin e parë të shtëpisë së banimit.

Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar njësitë e Zjarrfikësve, të cilët kanë arritur ta lokalizojnë dhe ta shuajnë zjarrin. Po ashtu, aty kanë dalë edhe njësitë e KEDS-it si dhe Urgjenca Mjekësore.

Bytyqi ka bërë të ditur se dy persona kanë pësuar asfiksim nga tymi dhe kanë pranuar ndihmë mjekësore në vendngjarje. Sipas ekipit mjekësor, gjendja e tyre shëndetësore është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.

Dëmi material i shkaktuar nga zjarri ende nuk është vlerësuar, ndërsa në vendngjarje kanë dalë edhe hetuesi kujdestar dhe njësiti i forenzikës.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit, me urdhër të të cilit është iniciuar rasti, ndërsa hetimet janë në vazhdim.