LAJMI I FUNDIT:

“Zgjidh atë që dëshiron… por me lot në sy të përgjërohem, që mos ta gënjesh veten”

“Zgjidh atë që dëshiron… por me lot në sy të përgjërohem, që mos ta gënjesh veten”

Joana Shopenhauer (Johanna Schopenhauer) vendos të çlirojë të birin nga detyrimi atëror për të vazhduar profesionin familjar prej tregtari. Mjeti ishte një letër profetike, të cilën ajo ia drejtoi Artura Shopenhauerit (Arthur Schopenhauer), më 28 mars të vitit 1807, dy vjet pas vdekjes së babait të tij. Filozofi gjerman Shopenhauer, në moshë të thyer do të shkruante se pasi përfundoi së lexuari këtë letrër, derdhi lot.

I dashur Artur,

Toni serioz dhe i qetë i letrës tënde, më datë 28 mars, që shkoi nga mendja jote tek e imja, më zgjoi dhe zbuloi se mund të jesh duke marrë një rrugë në drejtim të kundërt me prirjen tënde!


Prandaj, unë nuk duhet të lë gurë pa lëvizur që të të shpëtoj, sado e mundur që të jetë kjo; unë e di çfarë do të thotë të jetosh një jetë të pështirë për shpirtin dhe, nëse është e mundur, dua të ta kursej, bir i dashur, këtë fatkeqësi.

Oh i dashur, i dashur Artur, përse zëri im pati kaq pak peshë, ajo që ti dëshiron tani ishte, në fakt, dëshira ime më e flaktë, se shumë u përpoqa që ta bëja realitet, pavarësisht të gjitha atyre që u thanë kundër meje… nëse ti nuk dëshiron të ndjekësh rregullin e nderuar filistin, unë, Arturi im i dashur, vërtet që nuk dua të vendos ndonjë pengesë në rrugën tënde; vetëm ty të takon që të kërkosh rrugën tënde dhe ta zgjedhësh atë.

Më pas, unë do të të këshilloj dhe të ndihmoj aty ku është e mundur dhe si të mundem. Në fillim, përpiqu që të bësh paqe me veten… mbaj mend, duhet të zgjedhësh studime që të premtojnë një rrogë të mirë, jo vetëm sepse është e vetmja mënyrë me të cilën ti mund të jetosh, pasi ti nuk do jesh ndonjëherë aq i pasur, saqë të mund të jetosh vetëm në saje të trashëgimisë.

Nëse e kë bërë zgjedhjen tënde, më trego cila është, por ti duhet që ta marrësh këtë vendim vetë… nëse ndjen se ke fuqinë dhe zemrën për ta bërë këtë, unë me dëshirë do të të jap një dorë. Por, mos imagjino që jeta e një njeriu tepër të mësuar është shumë e këndshme. Unë e shoh tani përreth meje Artur. Është një jetë e lodhshme, me probleme, një jetë plot punë; bukuria qëndron vetëm në kënaqësinë që ajo sjell si punë; njeri nuk pasurohet me të; si shkrimtar, njeriu merr me vështirësi atë që nevojitet për mbijetesë… që të jesh në gjendje të nxjerrësh jetesën duke qenë shkrimtar, duhet që të jesh në gjendje që të nxjerrësh diçka të shkëlqyer.. tani më tepër se kurrë ka nevojë për mendje të shkëlqyera.

Artur, mendo për këtë gjë me kujdes dhe zgjidh, por më pas qëndro i vendosur; lër që këmbëngulja jote të mos tepet asnjëherë dhe ti me siguri që do ta arrish qëllimin tënd. Zgjidh atë që dëshiron.. por me lot në sy të përgjërohem, që mos ta gënjesh veten. Trajtoje veten me seriozitet dhe ndershmëri. Mbarëvajtja e jetës tënde është në rrezik, sikurse dhe lumturia e ditëve të mia të fundit, sepse kam shpresë, që vetëm ti dhe Adela mund të zëvëndësoni rininë time të humbur. Nuk mund të duroj që ti të mos jesh i lumtur, veçanërisht nëse duhet të fajësoj veten që e lashë këtë fatkeqësi të ndodhte, për shkak të përultësisë time.

Më kupton, Artur i dashur, që ti je i shtrenjtë për mua dhe unë dua të të ndihmoj me çdo gjë. Më shpërble me vetëbesimin tënd dhe që pasi të kesh ndarë mendjen të ndjekësh këshillën time në përmbushjen e zgjedhjes tënde. Dhe mos më lëndo duke u treguar rebel. Ti e di që unë nuk jam kokëfortë. Unë i kuptoj argumentet dhe nuk do të kërkojë ndonjë gjë nga ty, që nuk do jem në gjendje ta mbështes me argumente…

Adieu, i dashur Artur, posta është urgjente dhe gishtat po më dhëmbin. Mendohu për të gjitha gjërat që të dërgoj dhe të shkruaj dhe m’u përgjigj shpejt.

Nëna jote,

J. Shopenhauer