LAJMI I FUNDIT:

Live

Postet:

Live Shqipëria voton

Gjithçka nga dita e zgjedhjeve lokale në Shqipëri

Përditesuar 14/05/2023 08:25

Në Shqipëri më 14 maj u mbajtën zgjedhjet lokalet ku rreth 140 kandidatë synojnë të marrin drejtimin e 61 bashkive në tërë Shqipërinë.

Sipas orarit zyrtar, të dielën në orën 07:00 janë hapur qendrat e votimit për zgjedhjet në 61 bashkitë e vendit, proces i cili u mbyll në orën 19:00.

Në të gjithë vendin ishin 5213 qendra votimi ku me vendimin e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve është shtuar një qendër e posaçme në burgun e Tepelenës ndërsa ditën premte, datë 12.05.2023, me vendim Gjykate është shtuar një Qendër Votimi e Posaçme në burgun e Belsh.

3,650,550 qytetarë me të drejtë vote janë të ftuar që të votojnë për të zgjedhur 61 drejtuesit e rinj të bashkive. 122 545 zgjedhës votojnë për herë të parë në zgjedhjet e 14 majit.

Në zgjedhjet vendore të 14 majit garojnë në total 23 907 kandidatë për kryetarë bashkie dhe këshilla bashkiakë.

Konkretisht në garë për kryetarë bashkie janë regjistruar 144 kandidatë, ndërsa 23 763 kandidatë të tjerë garojnë për këshillat bashkiakë.

Telegrafi do t’ju mbajë të informuar minut pas minute për zhvillimet rreth procesit zgjedhor, tashmë rreth procesit të numërimit të votave.

Postet:
Mbylle
15/05/2023 07:27

Detaje nga procesi i numërimit të votave për shumicën e bashkive, në Durrës procesi po ecën më ngadalë

Po vazhdon numërimi i votave në zgjedhjet lokale në Shqipëri, që u mbajtën të dielën e 14 majit.

Në Cërrik kryeson bindshëm kandidati i PS Andis Salla me 68% të votave (3312)teksa janë numëruar 44% të kutive. Kandidati i Bashkë Fitojmë Servet Duzha vijon me 31%, pra 1504 vota.

Në Librazhd kryeson kandidati i Partisë Socialiste Mariglen Disha me 76% të votave (5081), teksa janë numëruar deri më tani 49%të kutive. Kandidati Shefki Çota i “Bashkë Fitojmë” pason me 23%, 1594 vota.

Në Peqin janë numër mbi gjysma e kutive të votimit. Edhe në këtë bashki kryeson kandidati socialist Bukurosh Maçi me 57% të votave (4069) përballë përfaqësuesit Mustafa Pashja. Ky i fundit ka marrë deri më tani 42 %, (2951 vota).

Në Bashkinë Përrenjas ku janë numëruar 23% të kutive, kandidati i Partisë Socialiste Nuri Belba kryeson me 56% të votave(1485), teksa Suzana Topi e ‘Bashkë Fitojmë’ me 43%, (1154).

Edhe në Belsh kryesojnë ngushtë socialistët me kandidatin Arif Tafani me 51 % të votave (1972 ) përkundrejt 48% të votave (1883)të kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Bedri Qypi. Kutitë e numëruara 44%.

Në Bashkinë Gramsh janë numëruar 33% të kutive dhe Besion Ajazi i PS ka marrë besimin e 53%, 2357 vota kundrejt Hasdim Cekrezi i ‘Bashkë Fitojmë’, i cili ka marrë 2129 vota deri më tani.

Në Bashkinë Rrogozhinë janë numëruar deri më tani rezultatet 27 nga 55 qendra votimi ku  kryeson me 53.% (2309 të votave kandidati i Bashkë Fitojmë Shkëqlim Hoxha, ndërsa kandidati socialist Edison Memolla ka marrë 2042 vota.

Ndërkohë, në Bashkinë e Durrësit numërimi ka ecur ngadalë, 41 qendra votimi nga 342 gjithsej. Kryeson kandidatja socialiste Emirjana Sako me 56% (5820) të votave përkundrejt 46% (4478) Igli Cara, kandidat i Bashkë Fitojmë.

Shijaku ka numëruar vetëm 18 QV nga 54. Aktualisht kryeson kandidati socialist Elton Arbana me 76% (3362)të votave. Kandidati i Bashkë Fitojmë, Rezart Tusha ka marrë 1045 vota deri më tani.

Në Bashkinë e Krujës janë numëruar 16 qendra nga 92 ne total. Kryeson Artur Bushi nga PS me 63% (3143) ndjekur nga kandidati i Bashkë Fitojmë Agron Loka me 36% (1823).

Në Bashkinë e Devollit janë numëruar 22 nga 49 në total, ku kandidati i PS Eduard Duro kryeson me 53.% të votave (3390), teksa Elvis Hajdërlli i Bashkë Fitojmë me 46% të votave (3487).

Kolonja drejt përfundimit, ka numëruar deri më tani 23 qendra votimi nga 28. Kandidati i Partisë Socialiste Erion Isaj kryeson bindshëm me 64% të votave (3294) vota, ndërsa Ethem Lumani 36% (1865).

Pogradeci ka ecur ngadalë me numërimin deri tani janë 27/106. Edhe aty kryeson kandidati socialit Ilir Xhagolli me 64% të votave, ndërsa Zini Tollozhina 33%.

Në Bashkinë e Korçës janë numëruar 47 qendra votimi nga 158. Kandidati i Partisë Socialiste Sotiraq Filo me 63% të votave, ndërsa kandidatja e Bashkë Fitojmë, Ledina Alolli ka 37%, njofton Tch.

Bashkinë e Maliqit me 15  qendra të numëruara nga 76, ku kryeson kandidati socialist Gezim Topçiu 64% kundrejt kandidatit të Bashkë Fitojmë Alfred Gega me 36 % të votave.

Në Bashkinë e Lezhës janë numëruar 37 nga 126 qendra votimi në total dhe kryeson me diferencë shumë të ngushtë kandidati i Partisë Socialiste Pjerin Ndreu me 51% të votave (4702), ndërsa kandidati i ‘Bashkë Fitojmë’ Pashk Gjoni ka 49% të votave.

Bashkia Mirditë janë hapur 21/48. Kryeson kandidati i ‘Bashkë Fitojmë’ Albert Mëlyshi me 55% të votave. Kandidati i PS, Ndrec Dedaj ka marrë deri më tani 44%.

Në Kurbin janë numëruar 13 nga 74 kuti, aty kryeson kandidatja socialiste, kryebashkiakja aktuale, Maljinda Cara me 55% të votave, ndërkur nga Behar Haxhiu i Bashkë Fitojmë me 44%.

Në Bashkinë e Fierit janë numëruar 30 nga 224 gjirthej. PS me në krye Aemando Subashi merr 71% të votave, ndëkur nga Evdar Kodheli “Bashkë Fitojmë” me 16% të votave. PD me Eriselda Celaj ka marrë 13%.

Nga 156 kuti janë numëruar 73 qendra në Bashkinë Lushnjë. Kryeson kandidatja e PS, Eriselda Sefa merr 61% të votave.  Kandidati i Bashkë Fitojmë, Eduart Sharka ka 39%.

Në Roskovec gara duket e ngushtë. Janë numëruar 20 nga 39 qendra votimi Kandidatja e Partisë Socialiste Majlinda Bufi kryeson lehtë me 52% përkundrejt 48% të Bashkë Fitojmë, Erdit Hazizaj.

Në Mallakasër numërimi është 10/50 në total. Kandidati i PS Qerim Ismailaj kryeson me 49% të votave përkundrejt 43% të Agron Kapllanaj i Partisë Demokratike. Kandidati i koalicionit BF, Resmi Shanaj merr 6.52%.

Bashkia Divjakë ka ecur ngadalë me numërimin, 5 nga 67 në total. Josif Gorra i PS ka marrë 60% të votave dhe Aurela Malko i “Bashkë Fitojmë” me 40% të votave.

Në Bashkinë Patos janë numëruar 20 nga 48 qendra votimi. Kryeson bindshëm kandidati Fation Duro i PS ME 69%, ndjekur nga kandidatja Sofije Alushaj i ‘Bashkë Fitojmë’ , me 24%. Kandidatja e PD Pranvera Rizaj 6%.

15/05/2023 07:22

PS fiton katër bashki – vazhdon numërimi për Tiranën  

Në katër bashki të vendit, Kamëz, Vorë, Elbasan, Pustec ka përfunduar procesi i numërimit, ndërsa vijon në 56 bashki të tjera.

Socialistët fituan bindshëm në Kamëz, ku Rakip Suli u rizgjodh si kryetar bashkie me 60% të votave. Edhe Vora u kthye rozë ku u zgjodh kryetar bashkie Blerim Shera me 73% të votave. Në krye të bashkisë Elbasan u zgjodh me rezultat 56% të votave.

Bashkia e katërt që përfundoi procesin ishte Pusteci, ku u besua socialisti Pal Kolefski me 63%.

Ndërkohë, vijon procesi në bashkinë më të madhe të vendit, Tiranë. Deri më tani janë numëruar rreth 16% të kutive të votimit.

Sipas raportimit të fundit të shifrave nga Komisioni Qendror të Zgjedhjeve Erion Veliaj i cili kandidon për mandat të tretë ka marrë 23713 ndjekur nga kandidati Këlliçi i cili ka 14965 vota.

Siç raporton Tch, pas tyre pason me kandidati i Partisë Demokratike Roland Bejko me 1933 vota dhe Arlind Qorri me 2168 vota.

14/05/2023 22:38

Humbi në votimin elektronik, Berisha: Do të kërkojmë auditim

Sali Berisha tha në një konferencë për mediat se në procesin e votimit elektronik janë transformuar votat.

Kreu i koalicionit “Bashkë fitojmë”, tha se në bashkitë ku mendojnë se ka devijim të votës, do të kërkohet procesi i auditimit, pasi sipas tij ligji thotë se rezultati elektronik quhet paraprak sepse provohet gjithnjë fleta e votimit përkatëse.

“Së pari, për këto rezultate ka disa kundërshtime shumë të forta, siç keni dëgjuar janë mediat që kanë paraqitur dëshmi të transformimit të votës në këtë proces.

Çfarë dua të them me këtë? Unë kërkoj nga KQZ-ja që të bëjë auditim e këtyre aparaturave. E dyta, Kodi Zgjedhor ka parashikimet e veta të sakta se si mund të trajtohet devijimi i rezultatit nga aparaturat.

PD do të kërkojë zbatimin e të gjitha ligjeve në këtë drejtim. Aty ky dyshohet se është devijuar rezultati, do kërkohet auditimi. Gjithmonë ky është një rezultat paraprak. Rezultati elektronik quhet paraprak sepse provohet gjithnjë fleta e votimit përkatëse.

Tani kanë dalë disa media që kanë paraqitur tre raste që thonë se kam votuar për këtë kandidat dhe më ka dalë në ekran kandidati tjetër. Unë nuk jam këtu për t’i dhënë përgjigje përfundimtare, por kjo kërkon të bëhet auditivi i aparaturës. Cilido që ka dyshime për tjetërsimin e vullnetit të tij, të kërkojë verifikimin e fletës. Siç e dini, çdo votim elektronik printon fletën përkatëse.

Në votimin elektronik, rezultati cilësohet me ligj rezultat paraprak. Unë jam besimplotë në rezultatin e këtyre zgjedhjeve. Ne kemi bërë një monitorim të të gjithë procesit zgjedhor.

Siç e thashë edhe njëherë, nuk kemi ndjekur praktikën e një publiciteti të akteve skandaloze që kanë ndodhur, nuk kemi ndjekur sepse kemi pasur gjithnjë si qëllim jo dekurajimin e zgjedhjeve dhe kjo ka funksionuar”,tha Sali Berisha.

14/05/2023 21:16

​Rezultatet e para për tri bashki në Shqipëri, fituan socialistët

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dhënë rezultatet për tri bashki, atë të Elbasanit, Vorës.

Sipas rezultateve të KQZ-së, në Elbasan, kandidati i Partisë Socialiste ka marrë 24823 ose 55,03 %, kurse, kandidati i koalicionit bashkë Fitojmë, ka marrë 20286 vota ose 44,97 %.

Në bashkinë Vora, e cila më parë drejtohej nga demokratët, tash ka fituar kandidati i Partisë Socialiste, i cili ka marrë 9319 ose 73.55 % dhe kandidati i koalicionit Bashkë Fitojmë 3352 vota ose 26.45 %.

Në bashkinë Kamëz, kandidati i Partisë Socialiste ka marrë 23657 vota ose 60.65 %. Ai i koalicionit Bashkë Fitojmë 13694 vota ose 35.11 % dhe kandidati i Partisë Demokratike 1653 vota ose 4.24 %.

14/05/2023 21:00

Rakip Suli i PS fiton Kamzën me 60% të votave deri tani

Rakip Suli kryeson në Kamëz me 60% të votave në qendrat e votimit ku është shpallur rezultati.

Kandidati i “Bashkë Fitojmë” Arjan Hoxha ka marrë 35.11% , ndërsa Bilbil Bajraktari i PD-së 4.2%. Rezultati është shpallur nga numërimi i 111 Qendra Votimi nga 133 qendra në total në Kamëz

Sipas të dhënave të publikuara nga KQZ, pjesëmarrja në të gjithë bashkinë e Kamzës ishte 41.88%.

14/05/2023 20:55

Shpallet fituesi në Bashkinë e Vorës

Partia Socialiste ka fituar zgjedhjet në Bashkinë e Vorës.

Sipas rezultateve të  publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Blerim Rustem Shera ka marrë 8125 vota, konkretisht 74.28% .

Ndërsa Indrit Hoxha nga koalicioni ‘Bashkë Fitojmë’ ka marrë 2813 ose 25.72%.

14/05/2023 20:10

Berisha: Garantoj qytetarët se vota e tyre do të peshojë më shumë se asnjëherë

Ish-kryeministri nga koalicioni “Bashkë fitojmë”, Sali Berisha ka deklaruar se përgjegjësia e qytetarëve në këto zgjedhje ishte epike, derisa ka bërë thirrje bërë thirrje që të numërohet çdo votë, pasi këtë betejë do ta fitojnë vetëm ata të cilët mbrojnë kauzën e drejt të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme

Berisha në një konferencë për media ka përshëndetur të gjithë votuesit, të cilët sipas tij votuan në kushte të jashtëzakonshme, duke u ngritur dhe folur me votën e tyre.

“Ata kapërcyen mbi konglomeratin e administratës mafioze, oligarëve të shpifur dhe bandave kriminale. Guximi, vendosmëria, përgjegjësia e qytetarëve sot ishte epike“, tha ai.

Sipas tij, pjesëmarrja ka qenë jo ajo që duan ta zvogëlojnë të dëshpëruarit dhe ata që bën gjithçka kundër këtij procesi.

“Ju bëjë thirrje me atë përgjegjësinë që dëshmuan gjatë ditës, me atë guximin me të cilën përballuan presionet e egra të mafies shtetërore, të bandave të kësaj mafie, po me atë përgjegjësi, guxim dhe vendosmëri të numërojnë çdo votë. Garantojë qytetarët se vota e tyre do të peshoj më shumë se asnjëherë, se kjo betejë është e një rëndësie historike dhe këtë betejë do ta fitojnë vetëm ata të cilët mbrojnë kauzën e drejt të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme“, tha ai.

14/05/2023 19:09

Mbyllet votimi në Shqipëri, pjesëmarrja pritet të jetë më pak se 40 %

Tanimë në Shqipëri janë mbyllur zyrtarisht 5200 qendrat e votimit, ku qytetarët kishin mundësi me votën e tyre të zgjedhin drejtuesit e 61 bashkive.

Sipas të dhënave të KQZ-së, 36.39 % e qytetarëve me të drejtë vota që kanë votuar deri në orën 18:00.Megjithatë, për numrin e votuesve dhe përqindjen, deri në orën 19:00, KosovaPress do t’iu njoftojë më vonë.

Në garë ishin 144 kandidatë. Zgjedhjet janë ndjekur nga afër, prej rreth 230 vëzhguesve ndërkombëtarë, pjesa dërrmuese e të cilëve ishin angazhuar nën drejtimin e misionit të ODIHR-it.

Lista e votuesve për zgjedhjet e sotme përmbante mbi 3 milionë e 650 mijë zgjedhës, ku përfshihen edhe emigrantët shqiptarë, të cilët ende nuk mund të votojnë nga vendet ku banojnë. Duke mbajtur parasysh numrin e lartë të tyre, votuesit real në zgjedhje mund të përllogariten diku te 30-40 përqind më pak.

Për drejtuesit e 61 bashkive në Shqipëri, konkurruan 144 kandidatë nga 40 parti dhe koalicione, përfshirë dy kandidatë të pavarur. Kurse, për 1603 pozicionet e anëtarit të Këshillave bashkiakë, kanë qenë të regjistruar rreth 23 mijë e 700 kandidatë, përfshirë 10 të pavarur.

Rezultatet paraprake pritet të publikohen menjëherë pas mbylljes së procesit, dhe do të bëhet një numërim manual paszgjedhor i të gjitha konfirmimeve, për të verifikuar saktësinë

14/05/2023 18:50

Pjesëmarrja në votime deri në orën 18:00

Deri në orën 18:00 kanë votuar 36,39 për qind e qytetarëve. Të dhënat përditësuara nga KQZ vijnë nga 2662 qendra nga 5211 në total.

Sipas të dhënave të publikuara nga KQZ, deri më tani numri i qytetarëve që kanë ushtruar të drejtën e votës është 694836 nga 1909641 zgjedhës në listën e Qendrave të Votimeve të raportuara.

Pjesëmarrja në votime në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit 2021 në të njëjtën orë ishte 45, 48 për qind.

Sot, qytetarët u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur drejtuesit e bashkive si dhe anëtarët e këshillave bashkiakë për 4 vitet në vijim.

14/05/2023 18:19

Celibashi: 29 denoncime për thyerje të heshtjes zgjedhore, 927 tentativa për votim të dyfishtë

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi ka deklaruar se në KQZ kanë ardhur 29 denoncime zyrtarisht. Tri nga Partia Socialiste, një nga koalicioni “Bashkë Fitojmë dhe 24 denoncime nga qytetarë të ndryshëm.

“Në total në KQZ kanë ardhur 29 denoncime zyrtarisht të pranuara, 4 denoncime nga partitë zgjedhore, tre nga Partia Socialiste dhe një nga koalicioni “Bashkë Fitojmë. Partia Socialiste ka një denoncime për kandidatin për kryetar të bashkisë në Elbasan. Po kështu, edhe për kandidatin e koalicionit bashkë fitojmë në Tiranë në dy raste për thyerje të heshtjes zgjedhore nga dy kandidatët, nga kandidati në Elbasan dhe kandidati në Tiranë. Ka një denoncim në KQZ nga Komiteti Shqiptar i Helsingut mbi parregullsitë procedurale gjatë shpërndarjes së bazës materiale, i përket konstatimeve të orëve të para të fillimit të procesit të votimit. Gjithashtu janë edhe 24 denoncime nga qytetarë të ndryshëm. Përgjithësisht bashkitë të cilat janë prezantuar si me probleme janë Tirana, Elbasani, Durrësi, Dropulli, Kamza, Lexha, Peshkopia dhe Tropoja. Në referim të përmbajtjes së këtyre denoncimeve, kryesisht lidhem me parregullsi nga ana e komisionerëve, ka mjaft ankesa, korrupsion aktiv ose pasiv në procesin e votimit”, tha ai.

Sipas tij, në 4.497 qendra votimi gjithsejtë kanë votuar 998,633 votues, ose 31.42 përqind, prej tyre për herë të parë deri tash kanë votuar 14.654 votues.

“Për sa i përket ecurisë së procesit, duke parë numrin e denoncimeve, ky numër të bën të mendosh se procesi ka shkuar, mirë, normalisht, por duke ndjekur edhe raportimet e mediave dhe komunikimet që kemi me partitë politike, këto të dhëna të lënë të kuptosh se ka probleme, por gjithsesi në vlerësimin tim, procesi në tërësi mund të konsiderohet normal dhe anomarlitetet e evidentuara nuk mendoj që e bëjnë të gjithë procesin problematik, gjithsesi duhet të presim gjithë procesin dhe të vlerësojmë çka ka ndodhur”, tha ai.

14/05/2023 17:42

Pjesëmarrja në votime deri në orën 17:00

Deri në orën 17:00 kanë votuar 34, 54 për qind e qytetarëve. Të dhënat përditësuara nga KQZ vijnë nga 2268 qendra votimi, nga 5211 në total.

Sipas të dhënave të publikuara nga KQZ, deri më tani numri i qytetarëve që kanë ushtruar të drejtën e votës është 661257 nga 1914576 zgjedhës në listën e QV të raportuara.

Pjesëmarrja në votime në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit 2021 në të njëjtën orë ishte 43,89 për qind.

Këtë 14 maj, qytetarët u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur drejtuesit e bashkive si dhe anëtarët e këshillave bashkiakë për 4 vitet në vijim.

14/05/2023 17:04

Votimi në Shqipëri, deri në orën 16:00 votuan vetëm 32.19 % e qytetarëve

Deri rreth orës 16:00 pjesëmarrja në votime duket e ulët, teksa kanë votuar 32,19 % e qytetarëve.

Të dhënat përditësuara nga KQZ vijnë nga 2694 qendra votimi nga 5211 në total.

Sipas të dhënave të publikuara nga KQZ, deri më tani numri i qytetarëve që kanë ushtruar të drejtën e votës është 619193 nga 1923650 zgjedhës në listat e qendrave të votimit.

Pjesëmarrja në votime në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit 2021 në të njëjtën orë 41.25 për qind.

Këtë 14 maj, qytetarët u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur drejtuesit e bashkive si dhe anëtarët e këshillave bashkiakë për 4 vitet në vijim.

14/05/2023 16:46

PS denoncon Belind Këlliçin dhe Luçiano Boçin për thyerje të heshtjes zgjedhore

Partia Socialiste ka denoncuar kandidatin e ‘BF’, Belind Këlliçin pasi ka shkelur nenin 77 të Kodit Zgjedhor.

Sipas denoncimit thuhet se Këlliçi ka lidhur apelin për qytetarët me premtimet elektorale gjatë fushatës.

Po ashtu për të njëjtën gjë Partia Socialiste ka denoncuar dhe deputetin Luçiano Boçin.

Në nenin 77 thuhet se subjekti zgjedhor që thyen heshtjen zgjedhore sipas nenit  77 të këtij Kodi, gjobitet nga KQZ me 500 000 lekë.

Pak më parë  Këlliçi u bëri thirrje qytetarëve që të dalin të votojnë masivisht pasi ndryshimi është në duart e tyre.

Ai premtoi sërish se nëse do të jetë në krye të Bashkisë, transporti publik do të jetë falas.

“Ndryshimi që ju prisni, e ardhmja që ju doni është shumë pranë. Kam një thirrje nga zemra për të gjithë qytetarët që të ushtrojnë detyrën dhe të votojnë. Votoni që pas 14 Majit, autobusin ta keni pa pagesë. Nëse doni një Tiranë ndryshe dilni dhe votoni. Merrni pjesë masivisht në votim. Është një ditë e veçantë. Pjesëmarrja juaj ka rëndësi të veçantë. Është e rëndësishme që deri në orën 19:00 të shkojnë në qendrat e votimit dhe të bëjnë ndryshimin”- tha ai.

Ndërsa Boçi u shpreh: Dilni  votoni, fitorja është e sigurt, ndryshimin e kërkojnë sot i madh e i vogël. Bashkë do e sjellim bashkë. Sot vendoset fati i Elbasanit, fati i familjeve tona, i fëmijëve tanë, fati i vendit. Bëhuni pjesë e ndryshimit, bëhuni pjesë e bashkisë që do ju përkas qytetarëve pas kësaj dite.

14/05/2023 16:25

Fotografuan fletët e votimit, arrestohet 37-vjeçari në Sarandë – nën hetim bashkëshortja

Një 37-vjeçar është arrestuar dhe bashkëshortja e tij është proceduar në gjendje të lirë në Sarandë, pasi kishin fotografuar fletët e votimit dhe më pas kishin dalë jashtë Qendrës së Votimit.

Ngjarja ndodhi në Qendrën e Votimit nr.4731, Xarrë, dhe u raportua në polici nga shtetasi O. Sh., i cili kishte rolin e vëzhguesit në këtë qendër.

Dy bashkëshortët dhe vëzhguesi janë paraqitur me vullnetin e tyre, në Prokurorinë e Sarandës, transmeton ABCnews.al.

Në njoftimin e Policisë thuhet se “Komisariati i Policisë Sarandë ka marrë njoftim nga shtetasi O. Sh., vëzhgues në Qendrën e Votimit nr.4731, Xarrë, se dy shtetas kishin fotografuar fletët e votimit dhe më pas kishin dalë jashtë Qendrës së Votimit”.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë menjëherë kanë njoftuar prokurorin e gatshëm, për këtë rast. Dy bashkëshortët dhe vëzhguesi janë paraqitur me vullnetin e tyre, në Prokurorinë e Sarandës. Në vijim të veprimeve u arrestua shtetasi L. T., 37 vjeç, banues në Xarrë, Konsipol dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për bashkëshorten e tij, shtetasen E. T(C)., për veprën penale “Shkelja e fshehtësisë së votës”.

Në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, po vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti”, thuhet në njoftim.

14/05/2023 15:49

Zgjedhjet vendore, mbi 4.4 mijë shtetas hynë nga pika kufitare e Kakavijës ditën e sotme

Një pjesë jo të vogël të votuesve ditën e sotme në zgjedhjet vendore në Shqipëri, e përbëjnë edhe emigrantët që kanë ardhur nga jashtë për të votuar.

Burime për Top Channel bëjnë me dije se vetëm në pikën kufitare të Kakavijës ka pasur 4,452 hyrje nga jashtë dhe 1,400 dalje nga vendi ynë.

Pjesëmarrja në votime nuk ka qenë shumë e lartë gjatë paradites, por pritet që deri në orën 19:00 të rritet numri i personave që ushtrojnë të drejtën e votës. /Telegrafi/

14/05/2023 15:45

Rritet numri i pjesëmarrjes në votime, mbi 29 për qind deri në orën 15:00

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, 29.51 për qind e qytetarë kanë votuar deri në orën 15:00.

Të dhënat përditësuara nga KQZ vijnë nga 2,692 qendra votimi nga 5,211 në total.

Sipas të dhënave të publikuara nga KQZ, deri më tani numri i qytetarëve që kanë ushtruar të drejtën e votës është 550,812 nga 1,866,477 zgjedhës në listat e qendrave të votimit.

Këtë 14 maj, qytetarët u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur drejtuesit e bashkive si dhe anëtarët e këshillave bashkiak për 4 vitet në vijim. /Telegrafi/

14/05/2023 15:38

Incident në një qendër votimi në Maliq, reagon policia

Policia e Korçës ka reaguar në lidhje me denoncimet e bëra nga kandidatija e koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Korçë, Ledina Alolli, në lidhje me praninë e punonjësve të administratës pranë qendrave të votimit, duke intimiduar votuesit.

Policia njofton se kandidatja Alolli është thirrur në polici për t’u pyetur në lidhje me pretendimet e saj.

Gjithashtu policia ka reaguar dhe në lidhje me videon, ku deputeti i PD-së Edmond Spaho kap nga krahët një person brenda një qendre votimi në Maliq.

Edhe për këtë rast është thirrur deputeti për të dhënë sqarime në polici, ndërkohë që po vijon puna nga grupi hetimor për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Sqarim i Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë:

Në lidhje me dy raste të publikuara në media, njëri prej tyre deklarata e kandidates së PD-së shtetases L. A., e cila pretendon se në lagjen nr. 17, Korçë, punonjës të administratës publike po intimidojnë votuesit, ndërsa rasti tjetër një video ku shfaqet deputeti i PD-së shtetasi E.S., duke u konfrontuar fizikisht me një shtetas në një qendër votimi në fshatin Zvezdë, Maliq, me pretendimin se ai shtetas po intimidonte votuesit, ju informojmë se:

Në të dy rastet është komunikuar me kandidaten L. A. dhe deputetin E. S., ku u është kërkuar që të paraqiten në Komisariatet e Policisë, për t’u pyetur dhe intervistuar në lidhje me sa pretendojnë.

Në lidhje me pretendimet e tyre, në të dy rastet u është marrë deklarim nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatet e Policisë Korçë dhe Maliq, ku në bashkëpunim me KZAZ Korçë dhe Maliq, po kryhen të gjitha verifikimet e nevojshme.

Theksojmë se në asnjë prej rasteve të mësipërme, nuk është kërkuar ndërhyrja e Policisë në qendrat e votimit apo në ambientet përreth qendrave të votimit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/

14/05/2023 15:31

Vazhdojnë votimet edhe në burgje, në Fier kanë votuar deri më tani 420 të dënuar

Vazhdon procesi i votimit edhe në burgun e Fierit.

Në total në këtë në këtë institucion të vuajtjes së dënimit janë 420 votues nga të cilët deri pas mesdite kanë votuar 132 të dënuar.

Mësohet se qendra e votimit është hapur në orën 07:00 dhe të dënuarit marrin pjesë në votim nëpërmjet votimit elektronik.

Nuk janë vënë re problematika në procesin e votimit deri më tani. /Telegrafi/

14/05/2023 15:22

Ambasadorja Kim: Askush nuk duhet të shesë apo të blejë vota, po vëzhgojmë situatën në Himarë

Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim ka shkuar për të monitoruar zgjedhjet lokale në Vlorë. Ajo tha se do të ndalet në disa qytete të tjera për të parë nga afër procesin e votimit.

Një koment e ka pasur edhe për Himarën, ku një prej kandidatëve, më konkretisht Fredi Beleri i koalicionit “Bashkën Fitojmë”, ndodhet në burg.

Kim e pati të qartë mesazhin e saj duke thënë se askush nuk duhet të shesë apo të blejë vota, duke iu bërë thirrje autoriteteve që të reagojnë bazuar mbi ligjin.

“Jam një nga vëzhguesit ndërkombëtarë të shumtë. Situata deri në këto momente duket se po shkon mirë, por jam një nga personat, do duhet të presim të dëgjojmë të gjitha vëzhgimet. Duhet të presim për raportimet nga ODIHR. Po ndalemi në të gjithë vendin, isha në Nivicë dhe Selenicë dhe do shkojë në disa vende të tjera. Ne po shikojmë situatën edhe në Himarë. Nuk duhet të ketë asnjë presion, askush nuk duhet të shesë apo të blerë votën, është përgjegjësi e autoriteteve që t’i zbatojnë ligjet në mënyrë të barabartë dhe të njëtrajtshme në çdo situatë”, tha Kim.

Ajo përveçse si vëzhguese, është treguar edhe këshilluese ndaj komisionerëve, të cilëve iu është lutur të raportojnë çdo incident të mundshëm pavarësisht përkatësisë politike.

Ambasadorja, ndryshe nga vitet e tjera ku ajo dhe kolegët e saj kanë vëzhguar zonën e Tiranës ose përreth, këtë vit ka zgjedhur Vlorën. /Telegrafi/

14/05/2023 15:00

Berisha deklaratë për mediat: Qytetarët të votojnë, është një shërbim ndaj vendit

Ish-kryeministri dhe kreu i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Sali Berisha ftoi të gjithë qytetarët t’i drejtohen kutive të votimit në zgjedhjet vendore që mbahen sot (14 maj) në Shqipëri.

Berisha falënderoi të gjithë emigrantët të cilët kanë ardhur të votojnë, si dhe ata qytetarë të cilët kanë ushtruar të drejtën e votës në orët e paradites.

Në fjalën e tij ai ftoi të gjithë personat që nuk kanë votuar ende që t’i drejtohen kutive të votimit për të bërë një shërbim ndaj vendit.

“Falënderoj të gjithë qytetarët që kanë votuar dhe bëj thirrje që të dalin të votojnë, opozita do të mbrojë votën tuaj Jam sot para jush për të falënderuar përzemërsisht të gjithë ata qytetarë shqiptarë të cilët kanë ardhur nga dhjetëra e dhjetëra vende, të kontinenteve të ndryshme për të firmosur sot me votën e tyre ndryshimin”, tha Berisha.

“Mirënjohja ndaj tyre është e pakufishme. Së dyti, unë dua të falënderoj përzemërsisht të gjithë ata qytetarë shqiptarë që nga ora 7 e mëngjesit e deri në këtë kohë, janë paraqitur dhe kanë hedhur votën e tyre në kutitë e votimit. Kanë kryer pra një detyrë kushtetuese jashtëzakonisht të rëndësishme për vendin, veten dhe familjen e tyre”, shtoi Berisha.

“Së treti, u bëj thirrje të gjithë qytetarëve që ende nuk kanë votuar të votojnë, të paraqiten në orët në vazhdim pranë qendrave të tyre dhe të votojnë si një shërbim i jashtëzakonshëm që i bëjnë vendit, vetes dhe familjes së tyre”, shtoi ish0kryeministri.

“Së fundi, garantoj qytetarët se opozita po mbikëqyr me sukses të plotë këtë proces. Ajo sot është më e fuqishme se kurrë. Vota e tyre ka mbrojtjen absolute të opozitës shqiptare. Çdo lloj përpjekje që po bën narkoadministrata, narkoshteti është e destinuar të dështojë, të dështojë dhe vetëm të dështojë. Qytetarëve u them gjithashtu, policia ka marrë pushim sot, por pavarësisht nga kjo, ju votoni si njerëz të lirë. Opozita do të mbrojë dhe po mbikëqyr çdo votë tuajën”, tha Berisha. /Telegrafi/