LAJMI I FUNDIT:

Zëvendësministri Dushi në takim me Wahl: OSBE partner i rëndësishëm i MD-së

Zëvendësministri Dushi në takim me Wahl: OSBE partner i rëndësishëm i MD-së

Zëvendësministri i Drejtësisë, njëherësh koordinator Nacional për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Florian Dushi ka pritur sot në takim zëvendësshefin e Misionit të OSBE, Kilian Wahl dhe ekipin e tij, me të cilin biseduan për bashkëpunimin e mëtejmë lidhur me projektet të cilat kanë në fokus kryesor luftimin e dhunës në baza gjinore, përfshirë dhunën në familje.

Dushi ka shprehur mirënjohjen e tij për përkrahjen dhe asistencën e ofruar ndër vite nga misioni i OSBE-së, e cila ka bërë të mundur realizimin e shumë aktiviteteve me qëllim të parandalimit dhe luftimit të dhunës në familje.

Në bisedën e zhvilluar në kuadër të këtij takimi, zëvendësministri e njoftoi Whal me punën e deritanishme dhe hapat që janë duke u bërë në koordinimin ndërinstitucional në luftë kundër dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore.


Gjithashtu, Wahl u njoftua lidhur me fillimin e punës për hartimin e Strategjisë nacionale për mbrojtje nga dhuna në familje, gjë për të cilën tha Dushi është krijuar grupi punues me ekspertë dhe akterë nga institucionet relevante vendore dhe ndërkombëtare.

Ndërsa, zëvendësshefi i Misionit të OSBE, Wahl, ka thënë se do të vazhdojë të mbështes çdo projekt i cili kontribuon në luftimin e dhunës në baza gjinore, përfshirë dhunën në familje.