Zëri i infermierëve të ardhshëm – shpresa, sfida dhe vendosmëria

Organizata “Dita e Infermierëve – Nurse Day” e studentëve të drejtimit të Infermierisë në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, ka realizuar një anketim të radhës me studentët e vitit të parë, të dytë dhe të tretë të këtij drejtimi
Leonita Ujkani, kryetare e organizatës, tregon se nga studentët e pranishëm në ligjërata dhe që pranuan të përgjigjen, në anketim janë përfshirë 123 studente dhe 21 studentë. Në raport me vitin e studimeve, pjesë e anketimit janë bërë 37 studentë apo 25.7% nga viti i parë, 41 studentë apo 28.5% nga viti i dytë dhe 66 studentë apo 45.8% nga viti i tretë. Gjithsej, në anketim janë përfshirë rreth 48% e numrit të përgjithshëm të studentëve të Infermierisë në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës.
Sipas Ujkanit, përmes këtij hulumtimi kanë dashur të shohin mendimin e studentëve, infermierëve të ardhshëm, për perspektivat e punësimit të infermierëve pas diplomimit.
Në pyetjen “Sa shpejt mendoni se do të gjeni punë pas diplomimit?”, nga 144 studentë të vitit të parë, të dytë dhe të tretë që janë përgjigjur, 36 studentë apo 25% mendojnë se pas diplomimit punë do të gjejnë brenda një viti, 37 studentë apo 25.7% thonë se punë do të gjejnë pas më shumë se një viti, ndërsa 71 studentë apo 49.3% nuk janë të sigurt se do të gjejnë punë në Kosovë.
Në pyetjen “Nëse mendoni se nuk ka mjaftueshëm mundësi punësimi në Kosovë, cilat janë arsyet kryesore?” (përgjigje të shumëfishta), nga 144 studentë që janë përgjigjur, 88 studentë kanë zgjedhur opsionin e mungesës së vendeve të punës, 79 kanë zgjedhur opsionin se pagat janë të ulëta, 62 prej tyre kanë rrethuar edhe opsionin se ka mungesa të kushteve të mira të punës, ndërsa 60 prej tyre mendojnë se nepotizmi është një nga arsyet pse nuk mund të punësohen në Kosovë.
Në pyetjen “Nëse brenda një viti pas diplomimit nuk punësoheni në Kosovë, a do të ishit të gatshëm të punonit jashtë vendit?”, nga 144 studentë që janë përgjigjur, 56 studentë apo 38.9% kanë thënë se mund të largohen nga Kosova, 24 studentë apo 16.7% thonë se nuk largohen, ndërsa 64 studentë apo 44.4% nuk e përjashtojnë mundësinë të largohen nga Kosova nëse nuk gjejnë punë brenda një viti pas diplomimit.
Në pyetjen “Cilin shtet do të preferonit për të punuar si infermier?”, nga 144 studentë që janë përgjigjur, Kosovën e preferojnë 38 studentë, Gjermaninë e kanë rrethuar si opsion 56 studentë, Zvicrën 33 studentë, ndërsa vendet si Suedia, Norvegjia, Franca, Austria, SHBA, i kanë zgjedhur si mundësi shumë pak studentë.
Në pyetjen “Çfarë do të ndikojë në vendimin tuaj për të punuar jashtë vendit?” (përgjigje të shumëfishta), nga 144 studentë që janë përgjigjur, 115 studentë mendojnë se paga më e lartë është arsyeja kryesore, për avancim e aftësim profesional kanë zgjedhur opsionin 85 studentë, kushtet e punës 91 studentë, ndërsa cilësia e jetës dhe shërbimet shëndetësore janë rrethuar si opsion nga 93 studentë.
Leonita Ujkani thotë: “Ne do të jemi zëri i përditshëm i studentëve dhe profesionistëve të Infermierisë. Dita e Infermierëve nuk duhet të jetë vetëm më 12 maj – ajo duhet dhe do të jetë çdo ditë.” /Telegrafi/



















































