Zekaj: Rritja e taksave gjyqësore cenon drejtpërdrejt qasjen e qytetarëve në drejtësi

Avokati Yll Zekaj ka reaguar ndaj udhëzimit të ri administrativ për unifikimin e taksave gjyqësore, i cili ka hyrë në fuqi më 1 janar, duke e cilësuar rritjen e tarifave si barrë të rëndë për qytetarët dhe bizneset, si dhe si cenim të drejtpërdrejtë të qasjes në drejtësi.
Sipas Zekajt, me këtë udhëzim janë rritur taksat për pothuajse të gjitha veprimet procedurale që zhvillohen në gjykatat e Kosovës, ndërsa qytetarët dhe bizneset që kërkojnë shërbime gjyqësore do të përballen me tarifa shumëfish më të larta se ato të mëparshme.
“Nëse synimi është ulja e numrit të lëndëve në gjykata përmes rritjes së taksave, kjo është qasje e gabuar dhe përbën cenim të drejtpërdrejtë të së drejtës për qasje në drejtësi”, ka vlerësuar Zekaj.
Ai ka krahasuar disa nga taksat e aplikuara deri në fund të vitit të kaluar me ato që tashmë kanë hyrë në fuqi. Për procedurat civile në Gjykatën Themelore, më herët taksa për padi me vlerë kontesti deri në 1.000 euro ishte 20 euro, ndërsa për konteste deri në 100.000 euro arrinte deri në 150 euro. Me udhëzimin e ri, për padi me vlerë kontesti deri në 5.000 euro taksa është 60 euro, për 5.001 deri në 25.000 euro është 150 euro, për 25.001 deri në 50.000 euro 200 euro, ndërsa për konteste deri në 100.000 euro taksa ka arritur në 300 euro.
Po ashtu, për paditë për pengim posedimi, taksa është dyfishuar nga 50 në 100 euro, ndërsa për propozimin për sigurimin e provës është rritur nga 30 në 100 euro.
Sipas Zekajt, edhe bizneset do të përballen me rritje të ndjeshme të shpenzimeve në Gjykatën Komerciale. Për paditë me vlerë kontesti deri në 25.000 euro, taksa tani është 200 euro, për konteste deri në 50.000 euro 300 euro, ndërsa për ato deri në 100.000 euro 500 euro. Ndërkohë, taksa për paditë për pengim posedimi është rritur nga 50 në 200 euro, ndërsa për sigurimin e provës nga 30 në 200 euro.
Avokati ka paralajmëruar se, përveç rritjes së taksave gjyqësore, edhe tarifat e avokatëve janë në rritje, çka sipas tij do të çojë në ulje të dukshme të inicimit të rasteve në gjykata.
“Me këto shpenzime procedurale, realizimi i së drejtës në sistemin e drejtësisë po shndërrohet në privilegj vetëm për ata që kanë mundësi financiare për t’i përballuar kostot deri në fund të procedurës”, ka theksuar Zekaj, duke ironizuar se kjo mund të përballohet vetëm “me shtesat për fëmijë dhe pagën e 13-të”.



































