Zbulohet kur do të rikthehet Xhaka nga lëndimi – ai pritet t’i humbasë dy ndeshje të mëdha

Kapiteni i Sunderlandit, Granit Xhaka, do të vazhdojë të mungojë në fushë edhe për disa javë të tjera, duke i dhënë një goditje të ndjeshme ambicieve të skuadrës në këtë fazë të sezonit.
Trajneri Regis Le Bris ka konfirmuar se mesfushori shqiptar nuk është ende gati për t’u rikthyer, për shkak të lëndimit në nyjën e këmbës.
33-vjeçari, i cili është një nga figurat kyçe të Sunderlandit këtë edicion, mungoi edhe në humbjen 3-1 ndaj West Ham United fundjavën e kaluar.
Para përballjes të së hënës ndaj Burnleyt, tekniku francez sqaroi se gjendja e Xhakës po përmirësohet, por rikthimi i tij nuk do të jetë i menjëhershëm.
“Graniti është duke punuar mirë. Do ta vlerësojmë gjendjen e tij në javën e ardhshme, por me shumë gjasë do të mungojë edhe tri javë”, ka deklaruar Le Bris.

Xhaka iu bashkua Sunderlandit verën e kaluar nga Bayer Leverkuseni dhe menjëherë u shndërrua në lider të ekipit.
Deri tani, ai ka zhvilluar 23 ndeshje në të gjitha garat, duke qenë titullar në 22 prej tyre në Ligën Premier. Kontributi i tij është reflektuar edhe në statistika, me një gol dhe pesë asistime.
Për shkak të këtij lëndimi, mesfushori pritet të mungojë në dy ndeshje shumë të rëndësishme, përballjen ndaj ish-skuadrës së tij, Arsenalit, më 7 shkurt, si dhe sfidën në shtëpi ndaj Liverpoolit më 11 shkurt.
Rikthimi i tij pritet të jetë vendimtar për Sunderlandin në vazhdimësinë e sezonit, teksa klubi shpreson që kapiteni të kthehet sa më shpejt në formën e tij optimale./Telegrafi/













































