"Zbulimi i 'sekretit' e kapi në befasi Osmanin", analistët komentojnë vizitën e Ramës në Kosovë

Analistët kanë komentuar vizitën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Kosovë dhe deklaratat e tij lidhur me presidenten Vjosa Osmani.
Në emisionin “Debat Plus” në Tv Dukagjini, Imer Mushkolaj tha se Rama e ka vënë në befasi presidenten Osmani, duke zbuluar publikisht atë që ai e cilësoi si një “sekret” shtetëror. Sipas tij, deklarimi se Osmani ka qenë për dy vjet nën presion për të dorëzuar materiale nga Zyra e Presidentit tek hetuesit e Hagës është një informacion që nuk ishte bërë më parë publik.
“Edhe me na kallxu qysh Vjosa Osmani nja dy vjet paska qenë nën një presion shumë të tmerrshëm duke mos iu ofru hetuesve të Hagës materiale nga Zyra e Presidentit”, ka thënë Mushkolaj, duke pyetur me cinizëm nëse kjo ishte befasi për opinionin.
Ai megjithatë e interpretoi deklaratën e Ramës si një formë mbështetjeje për presidenten.
Në anën tjetër, analisti Ylli Hoxha vlerësoi se Rama gjatë vizitës ka shprehur simpati për Osmanin, duke e cilësuar këtë si një “bakshish” politik. Sipas tij, vizita ishte e mirëpritur, por mungesa e një konference të përbashkët për media tregon se mes palëve ende ekzistojnë mospajtime.
“Në formë diplomatike këto eskivohen me eliminimin e konferencës. Pra, mund të jetë komunikim i rëndësishëm, por jo pajtim i madh”, ka thënë Hoxha.
Analisti Sadri Ramabaja duke komentuar edhe vizitën e Edi Ramës në Kosovë, ai është shprehur se në Tiranë ka një mungesë të “theksuar të patriotizmit”.
“Angazhimi i tij në Prishtinë nuk e përmbush këtë mungesë”, ka thënë ai.
Më tej, Ramabaja ka theksuar se “përafrimi herë pas here, jo shumë natyrshëm, herë me njërën palë e herë me tjetrën, si dhe sulmi ndaj tjetrës, në këtë situatë ndoshta më së miri do të kontribuonte sikur të mos ishte përzier fare sa i përket presidentit”.
Ndryshe, gjatë fjalës së tij për gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara të Kosovës, Rama deklaroi se presidentja Osmani ishte kërcënuar për dy vjet rresht nga prokurorët, pasi nuk kishte lejuar, sipas tij, kontroll në Zyrën e Presidentit për materiale që do ta dëmtonin imazhin e Kosovës.
Sipas Ramës, kërcënimi kishte zgjatur dy vjet, por ai shtoi se Osmani e kishte ndaluar një veprim të tillë “për nderin e saj dhe të Kosovës”./Telegrafi/
- YouTube youtu.be





















































