Wolt, një vit në tregun kosovar: Rritje e shpejtë, sfida dhe planet për të ardhmen

Pas gati një viti operimi në Kosovë, platforma ndërkombëtare e porosive dhe shpërndarjes Wolt po raporton rritje të shpejtë, kërkesë të lartë nga konsumatorët dhe një përqafim të fuqishëm nga bizneset lokale.
Në një intervistë për Telegrafi për Biznes, drejtori i Wolt për Kosovë dhe Shqipëri, Lissandri Dragoj, foli për eksperiencën e hyrjes në treg, veçoritë e konsumatorëve në vend, sfidat e muajve të parë dhe synimet strategjike të kompanisë për vitin e ardhshëm.
Sipas Dragoit, vendimi për t’iu bashkuar Wolt-it ishte i natyrshëm për shkak të natyrës globale të kompanisë dhe ndikimit që shërbimi sjell në komunitet. “Produkti i Wolt nuk është një produkt domosdoshmërie, por zgjidh një nevojë dhe ia lehtëson jetën gjithë përdoruesve… Kjo është arsyeja kryesore që më ka bërë mua të bëhem pjesë e kompanisë”, thekson ai.
Dragoj shpjegon se Wolt është një platformë teknologjike që lidh konsumatorët, bizneset dhe korrierët në një ekosistem të integruar, të ndërtuar për shpejtësi dhe efikasitet. Koha mesatare për dorëzimin e porosive në Kosovë mbetet rreth 30 minuta, një element që e diferencoi shërbimin menjëherë pas hyrjes në treg.
Gjatë intervistës, drejtuesi thotë se tregjet e Shqipërisë dhe Kosovës e kanë pritur platformën shumë shpejt, kryesisht falë popullsisë së re dhe të teknologjisë.
“Tregu konsumator në Shqipëri dhe në Kosovë, sidomos në Kosovë, është i përbërë kryesisht nga rinia dhe ata janë të parët që e shtyjnë një inovacion në treg”, tha ai gjatë intervistës.
Si rezultat, procesi i edukimit të tregut ka qenë më i lehtë, ndërsa bizneset lokale e panë platformën si një mundësi për të zgjeruar zonën e shërbimit dhe për të menaxhuar më mirë klientët.
Përveç të qenit një aplikacion porosish, Wolt është një mjet i fuqishëm për menaxhim dhe promovim të dyqaneve dhe restoranteve. Sipas Dragoit, bizneset përfitojnë jo vetëm nga ekspozimi te një bazë e gjerë klientësh, por edhe nga funksionet e personalizuara të marketingut brenda aplikacionit. “Wolt u jep mundësi bizneseve të menaxhojnë bazën e klientëve, të krijojnë fushata për klientët besnikë, të targetojnë klientë që nuk e kanë provuar produktin. Këto fushata janë aq të personalizuara sa biznesi arrin t’i ndërtojë në mënyrën më efikase”, shpjegon ai.
Aktualisht, në Kosovë operojnë mbi 300 korrierë në Prishtinë dhe Ferizaj. Megjithatë, temë e diskutuar shpesh kanë qenë komentet publike për sigurinë e tyre në trafikun e ngarkuar. Dragoj thekson se kompania po punon aktivisht në këtë drejtim. “Wolt investon shumë në trajnimet për sigurinë, për veshjet, për helmetat… Të gjitha janë mjete që Wolt i vë në dispozicion”, thotë ai, duke shtuar se kultura e përdorimit të motorëve në Kosovë është e re dhe kërkon kohë të adaptohet. 
I pyetur për preferencat e konsumatorëve, ai thotë se ushqimet e shpejta vazhdojnë të jenë kategoria më e kërkuar.
“Ushqimet e shpejta janë ato që porositen më së shumti”shpjegon Dragoj. Ai parashikon se tregu me kalimin e kohës do të balancohet drejt një oferte më të shëndetshme.
Synimi i kompanisë për vitin e ardhshëm është zgjerimi në sektorin e retail-it: farmaci, supermarkete, dyqane teknologjie, veshje dhe kategori të tjera.
“Objektivi për vitin që vjen do të jetë pozicionimi tek dërgesat e retail… presim t’i bashkohen edhe sektorë tjerë”, u shpreh Dragoj, duke nënvizuar se kërkesa për t’u bërë pjesë e platformës është shumë e madhe dhe kompania duhet të bëjë përzgjedhje të kujdesshme.
Në fund të intervistës, Dragoj dha një mesazh falënderimi për partnerët dhe konsumatorët në të dy vendet.
Për më shumë ndiqni intervistën: https://www.youtube.com/watch?v=vQdXPn7408I








































