Wirtz refuzon dy gjigantë, dëshiron t’i bashkohet vetëm Bayern Munichut

Florian Wirtz është gjithnjë e më afër kalimit te Bayern Munich, raporton Sport Bild. Mesfushori 22-vjeçar i ka komunikuar trajnerit të Bayer Leverkusenit, Xabi Alonso, se nuk dëshiron transferim te Real Madridi apo Manchester City, pavarësisht interesit serioz të këtyre dy klubeve.
Dëshira e tij e vetme është t’i bashkohet Bayern Munich. Familja Wirtz, veçanërisht babai dhe agjenti i tij Hans Wirtz, i cili ka marrëdhënie shumë të afërta me Uli Hoenes, tashmë ka arritur një marrëveshje parimore me drejtuesit e klubit bavarez.
Negociatat ndërmjet Bayer Leverkusenit dhe Bayern Munich pritet të nisin së shpejti, edhe pse Wirtz ka kontratë të vlefshme deri në vitin 2027.
Drejtori ekzekutiv i Bayer Leverkusenit, Fernando Carro, ka përmendur më herët një vlerë të mundshme transferimi prej të paktën 150 milionë eurosh, ndonëse më vonë e ka tërhequr këtë deklaratë.
Pavarësisht kësaj, Bayern Munich e ka vendosur Wirtzin si objektivin kryesor të afatit të verës. Ky zhvillim është i rëndësishëm edhe për Xabi Alonson, i cili është përfolur si kandidati kryesor për të pasuar Carlo Ancelottin te Real Madridi, pasi spekulohej se mund të dëshironte ta merrte Wirtzin me vete në Spanjë.
Megjithatë, familja Wirtz ka marrë një vendim të qartë: vetëm Bayern Munich është një opsion. /Telegrafi/










































