LAJMI I FUNDIT:

Vrau taksistin në Kavajë për 1900 lekë, burg përjetë për Musa Saraçin

Vrau taksistin në Kavajë për 1900 lekë, burg përjetë për Musa Saraçin
Foto: Ilustrim

Gjykata e Kavajës ka dënuar me burgim të përjetshëm të pandehurin Musa Saraçi, i cili në dhjetor të 2016-s mori peng dhe më pos vrau taksistin Idriz Kariqi.

Nga hetimet ka rezultuar se: I pandehuri Saraçi, paraditen e datës 14.12.2016 ka marrë si shërbim taksi mjetin e drejtuar nga viktima Kariqi, në vendin pranë Spitalit të Kavajës.


Ai i ka kërkuar taksistit të ndalojë makinën dhe, nën kërcënimin e një thike i ka kërkuar atij që t’i japë paratë që kishte me vete. Taksisti Kariqi ka nxjerrë paratë që kishte me vete, rreth 1900 lekë të reja, por këto kanë qenë të pamjaftueshme për autorin, i cili e ka goditur disa herë me thikë, duke e lënë të vdekur në vend.

Më pas, autori ka marrë makinën e viktimës dhe ka ecur disa minuta, derisa makina është rrëzuar në një kanal dhe është dëmtuar.

“Duke qenë se mjeti nuk mund të lëvizte, i pandehuri ka telefonuar një të njohurin e tij që posedon një servis makinash, të cilit i ka thënë se kishte një makinë të prishur dhe donte ta shiste për skrap. I pandehuri Saraçi ka shkuar në këmbë deri tek servisi i të njohurit të tij dhe kanë bërë “pazar” që makinën ta shiste për 27 mijë lekë të reja. Pasi ka marrë paratë, autori është larguar dhe është arrestuar pas dy ditësh, në vijim të veprimeve procedurale hetimore”, sqaron Prokuroria. /Telegrafi/