E plotësuar: Gjyqtarja e rastit Fatime Dermaku ka vendosur të mbyllë për publikun shqyrtimin e sotëm gjyqësor për shkak të natyrës së pyetjeve që lidhen me jetën personale të të akuzuarit Naim Murseli dhe të ndjerës Liridona Ademaj.

Prokurorja Javorka Perlinqeviq tha se Prokuroria pajtohet me këtë vendim, duke theksuar se pyetjet e parashtruara janë të natyrës private.


Avokati i palës së dëmtuar, Leotrim Syla, shtoi se nëse do të ketë ndonjë informacion që lidhet me jetën private të Murselit dhe Liridones, atëherë vetëm pjesa e paradites duhet të mbyllet për publikun, njofton Betimi për Drejtësi.

Gjyqtarja, duke iu referuar Nenit 289 të Kodit të Procedurës Penale, konfirmoi vendimin për të mbyllur seancën publike gjatë pyetjeve ndaj të akuzuarit Kushtrim Kokalla për jetën private të Naim Murselit dhe Liridona Ademajt.

Kushtrim Kokalla: Për vrasjen e Liridones kuptova nga portalet

I akuzuari Kushtrim Kokalla ka deklaruar në gjykatë se për vrasjen e Liridona Ademajt ka mësuar fillimisht nga portalet dhe jo nga përfshirja direkte në ngjarje.

Kokalla tha se në momentin e ngjarjes ndodhej në shtëpinë e tij me të afërmit, kur shoku i tij Flori e informoi për incidentin. Ai shtoi se fillimisht kishte menduar se bëhej fjalë për një grabitje, pasi lajmet e para raportuan për këtë. Tha se kishte tentuar të kontaktonte Naim Murselin, por telefoni i këtij të fundit ishte i paqasshëm, dhe vetëm pas 20-30 minutash kuptoi se ishte vrasje.

Ai deklaroi gjithashtu se kishte shkuar në Prishtinë bashkë me familjen e tij për të qëndruar pranë familjes Ademaj, duke theksuar se nuk kishte pasur rol në ngjarje.

Për qëndrimin në hotel, Kokalla tha se dhomën e kishte paguar një mik, Valon Lluka, pasi ai nuk kishte mundësi të përballonte koston e një dhome luksoze.

Kokalla: Nuk isha i vetmi që dija për problemet mes Naim Murselit dhe Liridonës

E përditësuar: I akuzuari Kushtrim Kokalla ka deklaruar se ishte në dijeni për konfliktet mes Naim Murselit dhe gruas së tij, por mohoi përfshirjen në ngjarjen kriminale.

Kokalla tha para gjykatës se problemet mes çiftit ishin të njohura jo vetëm për të, por edhe për familjet respektive, duke përfshirë çështje pune dhe xhelozi, shkruan Betimi për Drejtësi.

“Të gjithë e dinin për këto probleme, të mëdhenj e të vegjël”, tha ai.

Ai shtoi se nuk ishte i vetmi që e dinte për tensionet mes Naimit dhe Liridonës, por mohoi çdo lidhje me planin e vrasjes.

Sipas deklaratës së tij, gjatë ditës kritike nuk kishte pasur kontakte me Naimin apo Granitin, përveç një mesazhi të shkurtër.

Ai gjithashtu tha se nuk kishte njohuri për personin Tom Dodaj dhe nuk ishte në dijeni për takimet mes Naimit dhe Granitit deri në kohën e seancës së gjykatës.

Kokalla tregon versionin e tij për takimet me Granit Plavën dhe Naim Murselin

E plotësuar: Gjatë intervistimit të tij, i akuzuari Kushtrim Kokalla ka dhënë detaje për takimet me të akuzuarit e tjerë, Naim Murselin dhe Granit Plavën, duke pohuar se nuk ka pasur lidhje me planifikimin ose kryerjen e vrasjes së Liridona Ademajt.

Ai tha se gjatë intervistimit në polici ishin prezent 4-5 hetues, të cilët ndërkohë që njëri bënte pyetje, tjetri shkruante dhe të gjithë merrnin pjesë aktivisht.

Kokalla tha se kishte takuar Granitin disa herë, por vetëm për biseda të zakonshme dhe se nuk kishte ndërmjetësuar asnjë marrëveshje për kryerjen e veprës.

Sipas tij, takimi i parë me Granitin kishte ndodhur në Shell, ku Naimi e kishte shoqëruar për t’u takuar me Granitin. Takimi kishte zgjatur 5-10 minuta dhe gjatë tij nuk u diskutua asgjë e veçantë, vetëm biseda të zakonshme rreth punës.

Ai tha se gjatë kthimit në Gjakovë, Naimi i kishte dërguar mesazh në WhatsApp për të marrë numrin e kontaktit të Granitit, numër të cilin ai e kishte përcjellë. Takimi i dytë me Granitin kishte ndodhur 4-5 ditë më vonë në Benita.

Gjatë këtij takimi, Kokalla tha se Naimi i kishte dhënë 300 euro për pagesën e një kredie, ndërsa 500 euro ishin dhënë Granitit, dhe se nuk ishte i përfshirë në ndonjë planifikim të vrasjes, duke e përjetuar situatën si të habitshme.

Vrasja e Liridona Ademajt, Kokalla: Në Polici më thanë se isha kryesori i rastit

Në Gjykatën Themelore ka vazhduar seanca për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, ku i akuzuari Kushtrim Kokalla ka dhënë mbrojtjen e tij, duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatit të tij, Ndrec Doda.

Kokalla deklaroi se e kujton intervistimin në polici më 1 dhjetor 2023, kur ishte marrë në cilësinë e të dyshuarit për rastin, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai tha se kishte qenë në shtëpi kur është kontaktuar nga policia për t’u paraqitur në stacionin policor në Gjakovë, ndërsa nuk i kujtohet ora e saktë e paraqitjes, por sipas tij, në Prishtinë ka arritur rreth orës 20:00.

Sipas deklarimit të tij, intervistimi kishte filluar rreth 30 minuta pas mbërritjes në polici.

Duke u përgjigjur në pyetjet për trajtimin nga organet e rendit, Kokalla tha se nuk ishte keqtrajtuar fizikisht gjatë intervistimit.

Megjithatë, ai theksoi se gjatë kohës para nisjes së intervistimit, hetuesit i kishin thënë se ai ishte “kryesori” i rastit.

“Ma tregun pse më kanë arrestu, më thanë që ti je kryesori, edhe pse nuk e ke ngreh gishtin, ti e ke bë të gjithë skenarin dhe është në interesin tënd dhe tonin të tregosh si e ke bërë skenarin”, deklaroi Kokalla.

Ai shtoi se gjatë kësaj periudhe nuk kishte qenë i pranishëm avokati i tij.