Vrasja e biznesmenit në Elbasan, ndalohet i dyshuari në Rrugën e Kombit

Autoritetet kanë shoqëruar një tjetër person lidhur me vrasjen e biznesmenit Edmond Mëhalla, në Elbasan.
Tv Klan raporton se është ndaluar një i dyshuar në Rrugën e Kombit, me banim në Lezhë. Mirëpo policia vendore ende nuk jep një informacion zyrtar lidhur me këtë.
Sjellim ndërmend se biznesmeni Emond Mëhalla, u qëllua me dy plumba në kokë të dielën gjatë ditës, në dalje të qytetit të Elbasanit. Hetimet për identifikimin dhe arrestimin e të gjithë të përfshirëve vazhdojnë.
Nga verifikimi i pamjeve filmike, rezulton se vrasësi ka qenë në ruajtje të biznesmenit dhe sapo ai ka hipur në makinën e tij tip Range Rover, është afruar, ka dalë nga makina dhe ka hapur zjarr duke e lënë të vdekur në vend. 43-vjeçari mori dy plumba në kokë dhe një në trup, ndërsa vrasësi u largua në drejtim të Librazhdit.
Disa orë më vonë, në fshatin Mirakë, policia gjeti tërësisht të djegur automjetin tip Audi, brenda tij edhe një pistoletë, që dyshohet se u përdor në ngjarje.
Nga verifikimet, makina e përdorur në krim ka rezultuar në pronësi të viktimës, i cili, krahas biznesit të hidrokarbureve dhe kompanisë së taksive, jepte edhe makina me qira.

















































