Kuvendi i Kosovës i është kthyer normalitetit pas gati shtatë muajsh ngërç politik. Në seancën e 58-të të mbajtur sot (e martë) Kuvendi zgjodhi si kryetar deputetin Dimal Basha.

Pas zgjedhjes së Bashës, Kuvendi zgjodhi edhe tre nënkryetarë nga radhët e partive kryesore. Nga LVV u zgjodh Albulena Hahxhiu, nga PDK Vlora Çitaku dhe nga LDK, Kujtim Shala.


Pas kësaj radha ishte për zgjedhjen e nënkryetarëve nga komunitetet.

Elbert Krasniqi nga komunitetet pakicë propozoi tre emra me rotacion për pozitën e nënkryetarit.

“Propozojmë Emilja Rexhepi nga data 26.8.25 deri 26.12.26, Fidan Jilta 26.12.26 deri 26.06.27 dhe Artan Asllani nga 26.06.27 deri në përfundim të mandatit”, tha Krasniqi.

Krasniqi kërkoi që votimi për nënkryetarin nga komunitetet jo shumicë, në këtë rast serbët të bëhet ndaras.

Mirëpo Lista Serbe nuk e pranoj një gjë të tillë. Deputeti Igor Simiq kërkoi që edhe votimi për nënkryetarët nga komunitetet të bëhet në pako.

Ata propozuan emrin e Sllavko Simiq për nënkryetar.

Megjithatë në foltore ka marrë fjalën edhe deputeti i vetëm serb që nuk i takoj këtij grupi, Nenad Rashiq që e propozoi emrin e vet për nënkryetar.

Ndërkaq kryetari i Kuvendit, Dimal Basha kërkoi që votimi të bëhet veç e veç. /Telegrafi/