VLEN: Sistemi shëndetësor 2024-2028 përfshinë përkrahje për mjekët e rinj dhe gjithë personelin mjekësor

Koalicioni VLEN vlerëson se përmes pjesëmarrjes në Qeveri po e vendos sistemin shëndetësor në binarë të qartë, me planifikim, standarde dhe partneritete reale. Kjo u theksua në konferencën “Partneritet për shëndetësi”, e kryesuar nga ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
Sipas VLEN-it, konferenca ka vendosur një kornizë më të qartë për mbështetjen e projekteve në shëndetësi, duke orientuar partneritetet me sektorin privat dhe aktorët ndërkombëtarë drejt nevojave reale dhe rezultateve të matshme.
"Prioritetet për periudhën 2024–2028 përfshijnë optimizimin dhe riorganizimin funksional të sistemit shëndetësor, qasje të balancuar rajonalisht për pacientët, standardizim të procedurave spitalore dhe rregullim të sistemit të referimit për të ulur dërgimet e panevojshme. VLEN thekson se vëmendje e veçantë i kushtohet personelit mjekësor, përmes trajnimit të vazhdueshëm, mbështetjes për mjekët e rinj dhe masave për të parandaluar largimin e tyre nga vendi", thuhet në njoftimin e VLEN-it.
Sipas tyre, përmes kësaj force politike, synimi është një sistem më i rregullt dhe efikas, ku pacientët marrin shërbime më të shpejta dhe cilësore, urgjenca reagon në kohë dhe mjekët e rinj kanë kushte dinjitoze pune.












































