LAJMI I FUNDIT:

Vizita e presidentit kroat Zoran Milanoviq, gjithçka nga takimi me liderët e Kosovës

Vizita e presidentit kroat Zoran Milanoviq, gjithçka nga takimi me liderët e Kosovës

Një ditë më parë në vendin tonë për vizitë ishte presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ndërsa u takua me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.

Presidentja Osmani dhe presidenti kroat Milanoviq pas takimit mbajtën një konferencë për media ku folën për iniciativën “Open Balkan”, sigurinë në rajon, etj.

Më poshtë mund t’i gjeni deklaratat e presidentes Osmani, Milanoviqit, Kurtit dhe të Konjufcës:


Osmani: Kroacia është aleati ynë kyç në rrugën tonë euroatlantike

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një konferencë të përbashkët me presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviq, u shpreh se Kroacia është ndër shtetet që i ka qëndruar pranë Kosovës në momentet më të vështira, por edhe tash kur shteti ynë po ecën përpara.

Osmani tha se populli i Kosovës i është mirënjohës Republikës së Kroacisë.

“Kroacinë e konsiderojmë si aleat kyç. Marrëdhëniet e dy shteteve ndërtohen mbi lidhjet e forta të miqësisë që ekzistojnë historikisht në mes dy vendeve tona. Jemi të lumtur që qytetarët kroat me origjinë shqiptare janë integruar mire dhe ndjehen krenarë si qytetarë të Kroacisë”, u shpreh Osmani.

Presidentja falënderoj presidentin kroat për ndihmën e dhënë për Kosovën në kohën kur nuk kishim vaksina antiCOVID-19.

“I shpreh mirënjohje shtetit kroat për kontingjentin e vaksinave që i dhuruan Kosovës në një periudhë të vështirë kur ne nuk kishim vaksina. Gjithashtu mirënjohje e thellë për shtetin kroat dhe ndihmën që u dhanë qytetarëve të Kosovës pas aksidentit tragjik në Sllavonski Brod”, u shpreh presidentja Osmani.

Osmani shtoi se shteti ynë e ka bërë të qartë se vizioni ynë është që Kosova të anëtarësohet në strukturat euroatlantike, dhe prandaj e vlerësojnë ndihmën dhe përkrahjen e Kroacisë në këtë rrugë.

“Është tejet e rëndësishme që Kosova të vazhdojë të konsolidoj shtetësinë e saj, dhe shpresojmë që Kroacia do të vazhdojë të përkrahë këtë rrugë të vështirë por të pandalshme”, tha Osmani.

Presidentja u shpreh se vizitën e homologut të saj kroat e shohin si hap të rëndësishëm drejt avancimit të raporteve në mes dy shteteve tona.

Presidenti kroat për “Open Balkan”: Nëse Kosova nuk përfshihet në mënyrë të barabartë, atëherë kjo është një iniciativë palidhje

Presidenti kroat, Zoran Milanoviq ka komentuar iniciativën e “Open Balkan”. Milanoviq ka thënë se kjo iniciativë duhet t’i trajtoj të gjitha vendet në mënyrë të barabartë.

“Nuk na prek neve në mënyrë direkte, por nëse iniciativa ka qëllime të mira atëherë duhet ta marrim parasysh, por me kusht që të gjitha shtetet të trajtohen njëjtë, në të kundërtën atëherë duhet pyetur se cilat janë motivet e saja”, u shpreh Milanoviq.

Ai tha se Kosova nuk duhet të mbetet anash, ndërsa theksoi se duhet të bëhen të qartë motivet e iniciativës së themeluar nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

“Kosova nuk duhet të mbetet anash, kjo gjë nuk mund të ndodhë. Duhet ta kemi të qartë se cilat janë motivet”, tha ai.

Presidenti Milanoviq, më tej tha se nëse Kosova nuk përfshihet në mënyrë të barabartë atëherë kjo iniciativë është pa lidhje .

“Në këto iniciativa duhet matur dhe kalkuluar çdo gjë e jo të shkohet me kokë në muri. Nëse kjo iniciativë nuk e mbulon Kosovën në mënyrë të barabartë, atëherë kjo iniciativë është pa lidhje”, u shpreh presidenti kroat Milanvoiq.

Presidenti kroat duke folur për njohjet, tha se Kosova duhet me këmbëngulësi të kërkojë njohje të reja.

Presidenti kroat: Në Kosovë i keni disa virtyte që në Evropë nuk ekzistojnë

Presidenti kroat, Zoran Milanoviq ka folur edhe për procesin e vaksinimit antiCOVID, ndërsa tha se në bazë të informatave që ka marrë përqindja e të vaksinuarve në Kosovë është më e lartë se në Kroaci.

Ai tha se kjo tregon se qytetarët e Kosovës janë të përgjegjshëm.

“Niveli i të vaksinuarve më i lartë në Kosovë se në Kroaci…Kjo tregon se qytetarët në Kosovë janë të përgjegjshëm…Disa virtyte që i keni në Kosovë, në Evropë nuk ekzistojnë”, tha ai.

Ndryshe, presidenti kroat në konferencën për media pas takimit me presidenten Vjosa Osmani ka folur edhe për iniciativën “Open Balkan”.

Ai tha se kjo iniciativë duhet t’i trajtoj të gjitha vendet në mënyrë të barabartë. Presidenti Milanoviq, më tej tha se nëse Kosova nuk përfshihet në mënyrë të barabartë atëherë kjo iniciativë është palidhje.

Presidenti kroat duke folur për njohjet, tha se Kosova duhet me këmbëngulësi të kërkojë njohje të reja.  

Kurti me presidentin e Kroacisë duan bashkëpunim në raport me palët destabilizuese në Ballkan

Në takimin ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentit të Republikës së Kroacisë, Zoran Milanoviq, u theksuan marrëdhëniet tradicionalisht të shkëlqyera dhe mundësitë për thellim të bashkëpunimit bilateral ndërmjet të dy republikave.

Kryeministri Kurti theksoi se Qeveria e Kosovës vlerëson mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë për Kosovën.

Duke u falënderuar për rritjen e numrit të Forcave të Armatosura Kroate në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, kryeministri theksoi se një angazhim i tillë për paqen dhe stabilitetin në rajon është shumë i mirëpritur.  Ai veçoi bashkëpunimin ndërmjet ministrave të mbrojtjes, që punojnë ngushtë dhe kanë një plan dinamik për bashkëpunim. Vizita e parë e Ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës jashtë vendit ishte pikërisht në Kroaci dhe ky është një demonstrim i vullnetit të Qeverisë për të bashkëpunuar më ngushtë.

“Qeveria e Kosovës vlerëson përkrahjen e Kroacisë në procesin e anëtarësimit të Kosovës në iniciativat dhe programet ndërkombëtare dhe rajonale, si Partneriteti për Paqe, A5 dhe RACVIAC, që është synimi ynë imediat”, tha kryeministri, duke theksuar që shpreson që Republika e Kroacisë do të vazhdojë përpjekjet në këtë drejtim, në mbështetje të përpjekjeve tona për anëtarësim.

“Destinacioni i Kosovës është i qartë, ne jemi të përkushtuar që t’i bashkohemi NATO-s dhe Bashkimit Evropian”, tha Kryeministri Kurti.

Duke biseduar për ballafaqimin me pandeminë COVID-19, kryeministri theksoi se Kosova është lider në Ballkanin Perëndimor, me mesataren më të lartë të qytetarëve të vaksinuar, me mbi 1.65 milionë doza të administruara dhe me rastet e reja më të ulëta të COVID-19.

Ai tha se Kosova refuzoi marrjen e ndonjë vaksine ruse ose kineze, duke pranuar vetëm vaksina të aprovuara nga Agjencia Evropiane e Mjekësisë (EMA) dhe Agjencia Federale e Barnave të ShBA-së.

Kryeministri Kurti theksoi se fitorja e tij në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, ka sjellë stabilitet dhe legjitimitet në institucionet tona, por edhe ka rikthyer edhe besimin tek qytetarët, i cili ishte shumë i ulët. Tani, prijësit e të tre institucioneve, Presidentja, Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri gëzojmë besimin e mbi 50% të qytetarëve të Republikës.

“Ekonomia jonë i është përgjigjur pozitivisht ndryshimeve demokratike dhe pas një tkurrjeje prej 3% në vitin 2020, tani presim një rritje të jashtëzakonshme ekonomike dyshifrore deri në fund të këtij viti”, tha kryeministri Kurti.

“Një nga synimet tona është edhe krijimi i një ambienti të favorshëm për të tërhequr kompanitë dhe investitorët potencialë të huaj në mënyrë që të krijojmë një ekonomi të qëndrueshme dhe të zhvillojmë vendin”, tha ai. Kryeministri theksoi se Kosova ka potencial të madh dhe premtues për zgjerimin e mëtejmë të  marrëdhënieve të mira tregtare tregtare ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë.

U pajtuan se në frontin ekonomik, mund të punohet së bashku për të eksploruar fusha të reja të bashkëpunimit.

Sipas njoftimit për media të Kryeministrisë, presidenti Milanoviq e përgëzoi Kryeministrin e Kosovës për stabilitetin politik e institucional që e bën Kosovën partner të denjë për bashkëpunim. “Ai u shpreh i impresionuar me rritjen ekonomike që ka shënuar Kosova gjatë këtij viti dhe rikonfirmoi mbështetjen e Republikës së Kroacisë për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian dhe NATO”.

Të dy u pajtuan për nevojën për bashkëpunim të ngushtë dhe koordinim të politikave rajonale por edhe të politikës së jashtme e sidomos ndaj qëllimeve destabilizuese të aktorëve të tretë.

Konjufca dhe presidenti kroat flasin për procesin e njohjeve, liberalizimin e vizave dhe integrimin euro-atlantik 

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga nënkryetarja Saranda Bogujevci dhe këshilltarët, ka pritur në një takim shumë miqësor presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviq me bashkëpunëtorë, me të cilin diskutoi për aktualitetin politik, pandeminë, situatën energjetike, ekonominë dhe zhvillimet rajonale.

Në njoftimin për media thuhet se Konjufca falënderoi presidentin Milanoviq për mbështetjen koherente të shtetit kroat ndaj Kosovës, ndërsa shprehu mirënjohje për kontributin e pjesëtarëve të ushtrisë kroate në kuadër të KFOR-it.

Ai po ashtu tha se orientim parësor i Republikës së Kosovës mbetet perspektiva evropiane dhe anëtarësimi në NATO e organizata të tjera ndërkombëtare.

Kreu i Kuvendit shprehu përkushtimin për forcimin e partneritetit strategjik dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fusha të interesit të dyanshëm, si dhe domosdonë e koordinimit të veprimeve në kuadër të zhvillimeve rajonale e ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq konfirmoi gatishmërinë për intensifikimin e marrëdhënieve bilaterale dhe gjithashtu edhe mbështetjen e shtetit të tij për Kosovën, me theks të veçantë në procesin e njohjes nga pesë vendet anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur, liberalizimin e vizave dhe integrimin euro-atlantik. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Diell dhe vranësira gjatë kësaj jave - të premten destabilizim i motit

Diell dhe vranësira gjatë kësaj jave - të premten destabilizim i motit

Lajme
Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Lajme
Profili i metalit i mori jetën një punëtori të ri në Prizren, policia arreston tre menaxherët e ndërtesës

Profili i metalit i mori jetën një punëtori të ri në Prizren, policia arreston tre menaxherët e ndërtesës

Kronika e Zezë
Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Lajme
Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Lajme
Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Lajme
Kalo në kategori