LAJMI I FUNDIT:

Vëzhguesit e BE-së për zgjedhjet: Përgjithësisht të organizuara mirë, por me raste të kanosjes e presionit nga Lista Serbe  

Vëzhguesit e BE-së për zgjedhjet: Përgjithësisht të organizuara mirë, por me raste të kanosjes e presionit nga Lista Serbe  

Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve të Bashkimit Evropian ka dalë sot me një vlerësim rreth organizimit të zgjedhjeve, ndërsa në raport thuhet se infrastruktura komunale ishte tema kryesore, e pasuar nga shëndetësia dhe arsimi, bujqësia dhe mjedisi.

Në raportin preliminar të Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të Bashkimit Evropian thuhet se zgjedhjet ishin të organizuara mirë dhe gjatë fushatës u respektuan liritë themelore.

Në këtë raport po ashtu thuhet Lista Serbe (LS) e ka monopolizuar jetën politike në komunitetin serb të Kosovës dhe disa bashkëbisedues të EU EOM-së kanë përmendur raste të kanosjes dhe presionit nga kandidatët dhe aktivistët e LS-së.


Më poshtë mund ta gjeni të plotë përmbledhjen e EU EOM:

Zgjedhjet lokale të 17 nëntorit ishin të organizuara mirë dhe gjatë fushatës u respektuan liritë themelore.

Një shumësi e garuesve u dha votuesve mundësi të vërtetë për të zgjedhur, me përjashtim të komunave me shumicë serbe ku konkurrenca politike ishte e kufizuar. Gratë ishin të nën-përfaqësuara në garat për kryetarë të komunave dhe përgjithësisht në strukturat partiake. Derisa fushata tradicionale ishte e  Profilit të ulët, fushata përmes internetit ishte dinamike. Financimi i fushatës nuk ishte transparent. Mediat kontribuuan në informimin e votuesve duke organizuar debate gjithëpërfshirëse. Mangësitë e vjetra në kornizën ligjore mbesin të pa-adresuara siç mbesin edhe pothuajse të gjitha rekomandimet e mëhershme të BE-së për zgjedhjet.

Votimi i qetë dhe i rregullt u vlerësua shumë pozitivisht nga vëzhguesit e BE-së. Megjithatë, është vërejtur një numër i konsiderueshëm i rasteve të votimit me asistencë dhe rregullat për pranimin e dokumenteve të skaduara të identifikimit për identifikim të votuesve nuk ishin respektuar në mënyrë konsekuente. Numërimi i votave ishte më pak pozitiv. Në 6 nga 31 numërimet e vëzhguara është vlerësuar negativisht, kryesisht për shkak të mos-konsistencës në respektimin e procedurave.

Regjistrimi i kandidatëve ishte gjithëpërfshirës. Gjithsej 89 subjekte politike, përfshirë 34 parti politike, paraqitën 166 kandidatë për kryetarë të komunave dhe 5,199 kandidatë për kuvende komunale. Edhe pse kuota gjinore prej 30 për qind për listat e kuvendeve komunale u respektua, partitë nominuan pak gra kandidate për kryetare të komunës. Korniza ligjore për regjistrimin e kandidatëve përmban dispozita të paqarta dhe kontradiktore, si dhe kufizime joproporcionale që nuk janë në përputhje me standardet ndërkombëtare për zgjedhje demokratike.

Duke pasur parasysh masat kundër COVID-19, kandidatët e fokusuan fushatën e tyre në media sociale dhe debate televizive. Garuesit gëzuan të drejta të barabarta për lirinë e tubimit, shprehjes dhe lëvizjes. Në fushatë dominuan garat për kryetar të komunës, të cilat kryesisht kishin të bënin me personalitetet e kandidatëve dhe jo me platformat e partive të tyre politike.

Infrastruktura  komunale ishte tema kryesore, e pasuar nga shëndetësia dhe arsimi, bujqësia dhe mjedisi.

Kandidatët e komuniteteve jo-shumicë bënë fushatë pothuajse ekskluzivisht në komunitetet e tyre.

Lista Serbe (LS) e ka monopolizuar jetën politike në komunitetet serbe të Kosovës dhe disa bashkëbisedues të EU EOM-së kanë përmendur raste të kanosjes dhe presionit nga kandidatët dhe aktivistët e LS-së. Korniza joadekuate ligjore për financimin e fushatës, mungesa e mbikëqyrjes së mirëfilltë dhe njohuritë e kufizuara të rregullave në radhët e garuesve rezultuan në financim jo transparent të fushatës.

Korniza ligjore siguron një bazë adekuate për mbajtje të zgjedhjeve demokratike. Megjithatë, ende nuk janë adresuar mangësitë serioze dhe dispozitat kontradiktore mbi pranueshmërinë e kandidatëve, regjistrimin e votuesve, rregullat e fushatës zgjedhore, votimin jashtë Kosovës dhe zgjidhjen e kontesteve zgjedhore. Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) i janë paraqitur pesëmbëdhjetë ankesa gjatë periudhës së fushatës. Tri parti politike u sanksionuan për fushatë të paligjshme dhe për vendosje të materialit zgjedhor. PZAP-ja publikoi shumicën e ankesave, parashtresave dhe vendimeve në faqen e tyre të internetit.

Një administrim gjithëpërfshirës, transparent dhe profesional i zgjedhjeve siguroi që përgatitjet të përfundonin brenda afateve ligjore dhe të perceptohej nga palët e interesuara si të pavarur dhe të besueshëm. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mbajti takime të rregullta publike dhe shumica e vendimeve u miratuan në mënyrë unanime. Saktësia e listës së votuesve është përmirësuar, kryesisht për shkak të largimit të shumë personave të vdekur nga regjistri civil.

Mjedisi mediatik është dinamik dhe pluralist dhe mediat i mbuluan zgjedhjet në mënyrë të lirshme, pa asnjë pengesë në aktivitetin e tyre. Derisa televizioni publik RTK1 ofroi mbulim të gjerë dhe të balancuar të lajmeve për kandidatët, mediat e tjera kryesore transmetuese treguan më pak interesim për garat komunale. Transmetuesi publik dhe disa kanale televizive private kontribuan pozitivisht në informimin e votuesve duke organizuar debate zgjedhore gjithëpërfshirëse për shumicën e komunave. Komisioni i Pavarur i Mediave nuk ishte efektiv në zbatimin e rregulloreve.

Fushata online ishte dinamike dhe toni përgjithësisht ishte i moderuar. Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ishte partia më aktive në Facebook, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Transparenca dhe llogaridhënia për reklamat politike me pagesë në Facebook u vështirësuan për shkak të mungesës së një kushti/kërkese që reklamuesit politikë të regjistrohen për të postuar reklama zgjedhore në Facebook dhe Instagram.

EU EOM vërejti shkelje të periudhës së heshtjes zgjedhore në rrjetet sociale. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Gazeta zvicerane citon Kurtin: Kosova të përgatitet për hakmarrje nga Serbia, s’është koha për bashkim me Shqipërinë

Gazeta zvicerane citon Kurtin: Kosova të përgatitet për hakmarrje nga Serbia, s’është koha për bashkim me Shqipërinë

Lajme
KFOR-i nuk e pohon as nuk e mohon nëse policët e Kosovës hynë në Serbi

KFOR-i nuk e pohon as nuk e mohon nëse policët e Kosovës hynë në Serbi

Siguri
Sekuestrohet një Lamborghini në Prizren, po e voziste një fëmijë 11-vjeçar

Sekuestrohet një Lamborghini në Prizren, po e voziste një fëmijë 11-vjeçar

Kronika e Zezë
Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Lajme
Risi në sistemin e drejtësisë: Prokuroria dhe gjykatat me standarde të reja në matjen e dënimeve

Risi në sistemin e drejtësisë: Prokuroria dhe gjykatat me standarde të reja në matjen e dënimeve

Drejtësi
Kalo në kategori