Site icon Telegrafi

Vetëdijesimi mbi parandalimin e kancerit të mushkërive

Dr. Visar Xhaferi
Kirurg torakal
Spitali Klinik i Tetovës
+ 389 70 665 118
email: visari_ai@hotmail.com, visar.xhaferi@unite.edu.mk

Kanceri i mushkërive është shkaktari numër një i vdekjeve nga gjithë kanceret ekzistuese në pothuajse gjithë shtetet e botës.

Duhanpirësit kanë riskun më të lartë për kancer të mushkërive, megjithatë, kanceri i mushkërive mund të ndodhë edhe në persona jo-duhanpirës.

Kanceri i mushkërisë zakonisht është asimptomatik në stadet e hershme. Shenjat dhe simptomat e kancerit të mushkërisë në përgjithësi shfaqen kur sëmundja është e avancuar ose është inoperabil nga aspekti kirurgjik.

Ato mund të jenë:

– Kollë e vazhdueshme
– Kollë me gjak – hemoptizi
– Vështirësi në frymëmarrje – dispne
– Dhimbje gjoksi, të shpatullës ose të shpinës
– Humbje peshe – për një periudhë të shkurtë kohore
– Dhimbje kockash – faza metastatike
– Dhimbje koke

Ajo që sot po zbatohet në shumë shtete për parandalimin e kancerit të mushkërive është screeningu i kancerit që ka për qëllim kapjen – diagnostikimin e tij në fazat e hershme.

Prandaj vetëdijesimi i popullatës mbi screening-un e kancerit të mushkërive është gjëja më e rëndësishme që duhet ta bëjmë ne si kirurg torakal, pulmologët, onkologët, radiologët dhe patologët.

Screeningu në fjalë bazohet në dy kushte – pra, grupi i rrezikuar nga kanceri i mushkërive përfshin:

1 – Pacientet e moshës mbi 50 vjeç, dhe
2 – Duhanpirësit më shumë se 10 vjeç – qoftë edhe ata që e kanë lënë duhanpirjen.

Kurse historia familjare nga kanceret, është kusht opsional jo i domosdoshëm për t’u futur pacientët në screeningun e kancerit të mushkërive.

Megjithatë, edhe ky grup pacientësh çdo vit duhet të bëjë një CT të toraksit – (low dose CT) dhe të ndiqet çdo vit nëse tek këta pacient paraqitet kanceri që të operohen qysh nga fazat e hershme e të mos ketë nevojë për kimioterapi.

Kjo arrihet përmes një sistemi filtrues nga mjekësia primare-familjare, pa dyshim ka një kosto të lartë. Menaxhohet lehtë  nëse ka komision shumëdisplinor të specialistëve përkatës që merren me diagnostikimin dhe trajtimin e kancerit të mushkërive ku pas vendosjes së protokolleve ai zbatohet dhe suksesi në shumë shtete ka qenë enorm dhe përgëzues pasi që mesatarja e diagnostikimit të madhësisë së kancerit ka qenë në rënie e sipër, madje nga 4-5 cm në 1.5- 2 cm. Kjo do të thotë se, trajtimi i tyre në këtë madhësi është çdoherë 100% me sukses dhe e ul vdekshmërinë në mënyrë drastike.

Një shembull konkret: në Holandë, nga 17 milion banorë, grupi i rrezikuar nga kanceri i mushkërive është diku rreth 47 600 pacient që janë të vendosur në programin e screeningut dhe nga ata diagnostikohen afërsisht 10 270 kancere çdo vit, ndërsa operohen 5000-6000 pacient, që është 50-60 % e pacienteve që trajtohen me trajtim primar – operim kirurgjik.

Me shprese se edhe shtetet tona shqipfolëse: Maqedonia (që është në përgatitje e sipër të protokolleve të screeningut), Kosova dhe Shqipëria, do të pajisen me këtë program dhe do ta trajtojnë këtë “epidemi lokale” në mënyrë të suksesshme. /Telegrafi/

Exit mobile version