Verstappen fantastik, fiton garën e sprintit në Belgjikë - lë pas McLarenët dominues

Një garë sprinti emocionuese u zhvillua sot në pistën ikonike Spa-Francorchamps në Belgjikë, ku fitorja shkoi për pilotin fantastik Max Verstappen, i cili arriti të lërë pas dy pilotët dominues të McLarenit.
Verstappen e nisi sprintin nga vendi i dytë, por që në xhiron e parë arriti të parakalojë Oscar Piastrin dhe të marrë kryesimin e garës.
Ai e mbajti pozicionin e parë deri në fund dhe festoi fitoren, ndërsa sulmi më i rrezikshëm nga Piastri ndodhi në xhiron e 11-të, ku Verstappen u mbrojt në mënyrë brilante.
Në podium u ngjitën Verstappen, Piastri dhe Norris, të cilët fituan përkatësisht tetë, shtatë dhe gjashtë pikë. Në dhjetëshen e parë përfunduan gjithashtu edhe Leclerc, Ocon, Sainz, Bearman, Hadjar, Bortoletto dhe Lawson.
Në renditjen e përgjithshme, Piastri mbetet lider me 241 pikë, Norris ndjek në vendin e dytë me 232, ndërsa Verstappen qëndron i treti me 173 pikë.
Kualifikimet për garën kryesore të nesërme të Çmimit të Madh të Belgjikës janë planifikuar të zhvillohen nga ora 16:00, ndërsa gara kryesore do të nisë të dielën në orën 15:00. /Telegrafi/




















































