Vdes dëshmitari kryesor i “Sarajevo Safari”, çetniku Slavko Aleksiq - Vuçiq ishte pjesë e forcave të tij

Vdes Slavko Aleksiq, i njohur si vojvoda çetnik dhe simbol i terrorit gjatë rrethimit të Sarajevës.
Slavko Aleksiq, një nga figurat më të kontestuara dhe më të njohura që lidhet me luftën në Bosnjë e Hercegovinë dhe me rrethimin 1425-ditor të Sarajevës, ka vdekur sot në Trebinje.
Ai ishte komandant i formacionit paramilitar “Novosarajevski četnički odred” dhe në opinionin publik të Bosnjës e Hercegovinës emri i tij lidhet fort me snajperët dhe terrorin ushtarak ndaj popullsisë civile gjatë rrethimit të kryeqytetit.
Aleksiq ka lindur më 1956 në fshatin Bogdashiqi dhe ka kaluar një pjesë të madhe të jetës në Sarajevë, ku kishte punuar dhe studiuar, raporton N1.
Që në fund të viteve 1980 ai u përfshi në strukturat nacionaliste, dhe kur shpërtheu lufta mori komandën e njësisë së tij në zonën e Grbavicas.
Forcat nën komandën e tij ishin të vendosura në pozicione nga ku qyteti ishte nën zjarr konstant, dhe shumë dëshmi civilësh dhe raportime i lidhin njësitë e tij me sulmet ndaj popullsisë civile dhe përhapjen e frikës në mesin e banorëve të Sarajevës. Megjithatë, Aleksiq asnjëherë nuk u gjykua para gjykatave vendore apo ndërkombëtare për këto akte.
Pas bombardimeve të NATO-s dhe pas Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, në vitin 1996 ai udhëhoqi tërheqjen e forcave serbe dhe një pjese të popullsisë nga Grbavica, dhe vazhdoi aktivitetet ideologjike edhe pas luftës.
Emri i tij është rikthyer kohët e fundit në debat publik lidhur me hetimin e njohur si “Sarajevo Safari”, që po zhvillohet në Milano rreth vrasjes së civilëve për qejfi gjatë rrethimit të kryeqytetit boshnjak, ku pjesëmarrës u raportuar se ishte edhe presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Rrethimi i Sarajevës, që zgjati nga 5 prilli 1992 deri më 29 shkurti 1996, konsiderohet si rrethimi më i gjatë i një kryeqyteti në historinë moderne dhe çoi në vdekjen e mijëra civilëve, përfshirë fëmijë.
Organet ndërkombëtare e kanë cilësuar atë një fushatë të terrorit të organizuar kundër popullsisë civile. /Telegrafi/












































