Sulmuesi shqiptar nga Maqedonia e Veriut nënshkroi kontratë me klubin e Ligës 1 Trendyol dhe synon të japë kontribut të rëndësishëm në sezonin e ri, njofton Telegrafi.

Klubi turk Ozbelsan Sivasspor, pjesë e Ligës 1 Trendyol (kategoria e dytë e futbollit në Turqi), ka konfirmuar transferimin e futbollistit shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Valon Ethemi. 27-vjeçari, i cili luan si sulmues krahu, ka nënshkruar kontratën e tij të re në prani të nënkryetarit të klubit, Ahmet Fatih Korkmaz, duke u bërë kështu pjesë e kuqebardhëve.


I lindur më 3 tetor 1997, Ethemi bëri hapat e parë në futboll te akademia e Renovës në Tetovë. Karriera e tij më pas u pasurua me eksperienca te Dinamo, Adriatiku dhe Kukësi në Shqipëri, përpara se të shpërthente në futbollin turk me Istanbulsporin dhe më pas Konyasporin. Sezonin e kaluar, ai ishte pjesë e Igdır FK, ku spikati me paraqitjet e tij në krahun e majtë të sulmit.

Përveç karrierës në klube, Ethemi ka veshur edhe katër herë fanellën e përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut, duke fituar përvojë ndërkombëtare dhe respekt në arenën kombëtare.

Me transferimin te Sivasspori, futbollisti shqiptar pritet të jetë një nga shtyllat kryesore të skuadrës për sezonin e ri. /Telegrafi/

telegrafi sport app