Në kuadër të bashkëpunimit mes Universitetit të Tetovës dhe Universitetit ,,Shën Kirili dhe Metodi”, përkatësisht Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit dhe Institutit për Kontrollin e Zoonozave në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare, për së pari herë u realizua trajnimi rreth metodave më të sofistikuara të biologjisë dhe gjenetikës molekulare, për identifikimin e zoonozave, gjegjësisht sëmundjeve të kafshëve që barten te njeriu nëpërmjet ushqimit dhe produkteve të tjera që vinë në kontakt me njeriun, njofton Telegrafi Maqedoni.

Trajnimi u realizua nën udhëheqjen e Erhan Sulejmanit, docent i lëmisë përkatse, në kuadër te lëndës Sistemet e drejtimit me sigurinë ushqimore. Studentët e ciklit të dytë patën mundësinë që drejtpërdrejtë të njihen me metodën PCR - Polymerase Chain Reaction, e cila si teknikë e biologjisë molekulare shërben për të amplifikuar një kopje të vetme, ose disa kopje të një segmenti të ADN-së nëpër disa rradhë të madhësisë, duke krijuar mijëra e miliona kopje të një sekuence të veçantë të ADN-së.


Është një mënyrë e lehtë dhe e besueshme për të përsëritur një segment të përqendruar të ADN-së, që është e zbatueshme në fusha të shumta në biologjinë moderne dhe shkencat e ndërlidhura. Si një metodë bashkëkohore identifikuese, PCR është më e ndjeshme dhe specifike, dhe më pak e rëndë, sesa analizat standarde mikrobiologjike.

Përgjegjëgjësi i Laboratorit në Institutin e Fakultetit të Mjekësisë Veterinere në Shkup, Igor Xhaxhovski, potencoi që në bazë të rregullores për kushtet e veçanta për siguri dhe higjienë të ushqimit me prejardhje shtazore kërkohet që kafshët t’i plotësojnë kërkesat e gjendjes së përgjithshme shëndetësore dhe kërkesat për preventivë dhe kontroll të sëmundjeve të caktuara infektive të kafshëve.

Për sigurinë e furnizimit global të ushqimit, metodat bashkëkohore janë të nevojshme për një monitorim të shpejtë, efektiv dhe të saktë të higjienës mjedisore, identifikimin e rreziqeve biologjike dhe vlerësimin e cilësisë së produktit.

Në kuadër të vizitës u diskutuan edhe mundësitë e bashkëpuniumit në mes dy institucioneve në projekte të ndryshme zhvillimore dhe shkencore. /Telegrafi/