Profesorëve të Universitetit të Prishtinës u është ndaluar që të punojnë edhe në kolegje private.

Ky vendim është marrë sot nga Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës, kështu ka konfirmuar Altin Sahiti, anëtar i këtij këshilli, transmeton Telegrafi.


Sahiti në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se ky vendim është i vonuar për 24 vjet.

"Vendim që ka vonuar për 24 vite, por që në mbledhjen e fundit me propozimin tim dhe me përkrahjen e Anëtarëve kemi ndaluar që Profesorët t'i ndihmojnë konkurrencës në plan programet dhe aktivitetet e tyre! Njëkohësisht është hequr një e padrejtë që i ka ndaluar Profesorët Universitar me qenë pjesë e Trupave Kolegjiale Profesionale si Borde në Ndërmarrje Publike, Trust, BQK, KKRF etj", thotë ai.

Altin Sahiti  1

Ai ka deklaruar se këto vendime janë të bazuara mbi parimet etike, ndërsa ka thënë se vazhdojnë me reformimin e Universitetit më të mirë në vend. 

Ndryshe, edhe zëdhënësja e UP-së, Marigona Vrajolli konfirmoi për Telegrafin se vendimi është marrë gjatë ditës së sotme.

"Më lejoni të konfirmoj se Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës ka nxjerrë një vendim në bazë të të cilit nuk lejohet angazhimi i personelit akademik në kolegje/ institucionet private", tha ajo. /Telegrafi/

32