"Unë do të jem fansi yt i përjetshëm", Neymar e feston golin me një dedikim prekës për këngëtaren Marilia Mendonça

PSG e mbylli pjesën e parë me epërsi 2-0 ndaj Bordeaux në takimin e vlefshëm për javën e 13-të në Ligue 1.
Të dy golat erdhën falë partneritetit ‘vrasës’ mes Neymarit dhe Mbappes, me brazilianin që shënoi dy herë dhe francezin që asistoi në të dy rastet.
Gëzimi i Neymarit u pasqyrua me një dedikim të veçantë nga Neymari për këngëtaren e famshme, Marilia Mendonça.
Kjo e fundit ndërroi jetë pas rrëzimit të një aeroplani, me të cilin po udhëtonte.
Me të dhënë golin e parë, Neymar i befasoi të gjithë kur ngriti fanellën e tij, poshtë së cilës shkruhej një dedikim i veçantë për artisten tashmë të ndjerë.
“Unë do të jem fansi yt i përjetshëm Mbretëresha e ‘Sofrenica’”, kishte të shkruar braziliani në gjuhën portugeze.
Me “Sofrenica”, ai i referohet albumit të Marilias të vitit 2020, i cili njëherësh shënon një prej projekteve më të suksesshme muzikore në karrierën e saj.
Momenti i ngritjes së fanellës pas gëzimit të golit, është shpërndarë me të madhe nga fansat e futbollistit në rrjetin social Twitter. /Telegrafi/






















































