Nga: Robert Fox / The Independent
Përkthimi: Telegrafi.com

Kemi hijen e luftës që troket në derën e Evropës, shpjegoi ministri i forcave të armatosura, Al Carns - veteran shumë i dekoruar i Marinsave Mbretërorë - në një deklaratë figurative për korrespondentët e mbledhur të mbrojtjes. Ai ishte duke hapur qendrën e re të inteligjencës ushtarake në RAF Wyton [Royal Air Force Wyton]. Ekspertë nga shtatë degë të ndryshme të shërbimit konfirmuan se operacionet agresive kibernetike dhe të informacionit nga Rusia - kundër interesave britanike - janë rritur me 50 për qind vetëm gjatë vitit të kaluar.


Mesazhi është theksuar edhe nga shefi civil i NATO-s, sekretari i përgjithshëm Mark Rutte - shtetari holandez me përvojë të madhe. Ai tha se Evropa dhe NATO duhet të jenë të përgatitura për një konflikt me Rusinë “në nivelin të cilin gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë e kanë përjetuar”.

Udhëheqja ruse po përsërit se nuk dëshiron të “shkojë në luftë me Evropën, por është e përgatitur për luftë” nëse provokohet. Fjalët janë çuditërisht të ngjashme me ato që Kremlini tha gjatë dimrit të vitit 2021 për të mos hyrë në Ukrainë, përveç nëse rrethanat do të ndryshonin. Ngjashmëria në gjuhën dhe taktikat e informacionit ka alarmuar inteligjencën britanike të mbrojtjes dhe agjencitë simotra.

Pyetja për sigurinë e Evropës, tani dhe për muajt e dimrit që po vijnë, është nëse mund të mbahet Ukraina dhe të mbrohet ajo, tani që Rusia dhe Amerika duket se po heqin dorë nga shanset e saj për mbijetesë? Trumpi ka thënë se Ukraina nuk mund të fitojë dhe duhet të negociojë me Rusinë, duke nënkuptuar se kushtet do të jenë mjaft të pafavorshme. Moska po kërkon qartazi ndryshim regjimi në Kiev dhe që Ukraina të rikthehet në sferën e ndikimit të Kremlinit.

A mundet Ukraina të rezistojë përballë agresionit të ri rus, shkëputjes dhe ambivalencës amerikane, ndërkohë që Evropa duhet të rrisë mbështetjen ushtarake? Rusia po shënon përparime të qëndrueshme në terren, megjithëse me një kosto të madhe për forcat e saj. Forcat e Ukrainës janë të lodhura, qytetet dhe popullsia civile po bombardohen nga ajri për çdo natë. Vijat e frontit janë të shtrira tepër në Donjeck, Zaporizhia dhe Herson. Është shtuar vëllimi i sulmeve me dronë gjithnjë e më të sofistikuar dhe me bomba rrëshqitëse. Ukraina po has vështirësi për të rekrutuar ushtarë të rinj dhe për rotacion të forcave në terren; ka pasur rritje të dukshme të dezertimeve.

Në terren, Ukraina ende nuk po humb në mënyrë vendimtare - nyja jetike e komunikimeve në Pokrovsk ende nuk është nën kontroll të plotë rus, pas gati 18 muajsh luftimesh. Trekëndëshi i fortifikimeve në veri të Donjeckut është ende në duart e Ukrainës. Rusia mund të jetë duke fituar terren - me kosto nga një deri në dy mijë viktima në ditë, por nuk po fiton mjaftueshëm.

Ukraina dhe aleatët e saj tani duhet të përcaktojnë përparësitë për të mbështetur zonat kyçe - luftën tokësore në vijën e frontit, mbrojtjen ajrore, sulmet në thellësi kundër zonave dhe objekteve mbështetëse ruse në sferën detare në Detin e Zi, si dhe veprimtarinë e paligjshme dhe subversive në Baltik.

Më urgjente është nevoja për të përmirësuar mbrojtjen ajrore të qyteteve me raketa dhe me dronë. Në fushëbetejë, teknikat e përmirësuara të luftës elektronike dhe dronët e Rusisë po paraqesin një sfidë të madhe për Ukrainën dhe për ushtritë e NATO-s. Gjermania, Polonia dhe Britania e Madhe po zhvillojnë në sasi armë më të lira për mbrojtje dhe për sulm. Raketa e mbrojtjes ajrore Patriot dhe raketa e lëshuar nga ajri Storm Shadow e Mbretërisë së Bashkuar, kushtojnë mbi një milion paundë secila [1.14 milionë euro]. Aleatët, bashkë me Ukrainën, po zhvillojnë raketa tokë-tokë që kushtojnë disa qindra-mijëra paundë dhe janë në gjendje të godasin deri në 800 milje brenda Rusisë.

Këto duhet të dorëzohen në Ukrainë sa më shpejt - brenda javëve, jo muajve. Fushata e sulmeve në thellësi të Ukrainës ndaj nyjave hekurudhore, rafinerive dhe stacioneve të komandimit duket se ka efekt. Gjatë gjashtë muajve të fundit, qiratë për kamionët dhe vagonët ranë me 60 për qind dhe hekurudhat shtetërore janë në krizë, duke humbur mbi 10 për qind të gjithë trafikut për vitin.

Dëmi më i madh është shkaktuar në transportin e naftës dhe gazit të sanksionuar nga “flota në hije” e cisternave të pasiguruara. Ukrainasit pothuajse i kanë mbyllur dy portet kryesore të naftës së Rusisë në Detin e Zi, aq sa Kazakistani ndaloi dërgimin e naftës në terminalin Novorosijsk. Dronët detarë si Sea Baby, me një kontribut të konsiderueshëm të dizajnit britanik, kanë qenë veçanërisht efektivë. Rusia betohet për hakmarrje: në javët e ardhshme priten bombardimet e shumta ajrore nga Rusia mbi portet dhe kantieret detarë të Ukrainës në Odesë dhe Mikolaiv.

Aktiviteti armiqësor rus pritet të rritet në Baltik dhe në Atlantikun e Veriut. Kaliningradi, në enklavën mes Polonisë dhe Lituanisë, tani është i vetmi port rus pa akull gjatë gjithë vitit. Është shpeshtuar hyrja e nëndetëseve ruse në ujërat britanike. Këto janë shenja të lehta, por të pagabueshme, të presionit mbi sektorin detar të Rusisë të shkaktuar nga Operacioni Special Ushtarak në Ukrainë.

Sigurisht, nuk ka nevojë për të kujtuar se Moska mendonte se operacioni do të zgjaste vetëm 10 ditë. Tani Moska pretendon se mund të durojë deri në fitore dhe dorëzim të Kievit - brenda një viti e gjysmë tjetër. Nëse lufta zgjat kaq, ekonomia ruse do të jetë e shkatërruar dhe edhe Kina do të ngurrojë të mbledhë copat.

Ukraina është në një afat më të shkurtër. Duhet të mbijetojë muajt e ardhshëm dhe evropianët duhet të intensifikojnë dorëzimin e armëve, të teknologjisë dhe trajnimit - siç po bëjnë thirrje Mark Rutte dhe Al Carns. Ukraina, përkundër shqetësimeve dhe vuajtjeve të saj të tanishme, mund të mbijetojë dhe, sipas gjeneralit Rupert Smith - pas një vizite në muajin e kaluar - ka pak dëshirë për t’u dorëzuar. Dhe, gjithashtu ka më shumë gjasa të mbijetojë. /Telegrafi/