LAJMI I FUNDIT:

UDB-ja dhe Vuk Drashkoviqi

UDB-ja dhe Vuk Drashkoviqi
Ilustrim

Për realizimin e qëllimeve të veta të zeza, UDB-ja – jo një herë, por shumë herë – vrau fëmijët serbë dhe ky nuk është sekret. Se sa herë UDB-ja ka kurdisur eksese ndëretnike, këtë e dinë goxha shumë njerëz. Por, kjo nuk mjafton. Askush nuk mund të thotë se e di saktë se sa shqiptarë ka vrarë e zhdukur ky shërbim terrorist. Ky shërbim ka nxitur vrasjet mes shqiptarëve me metoda të njohura e të panjohura, por edhe ka shtuar mënyrat tjera për ta nxitur dhe për ta mbuluar krimin.

Sa vrasje kanë ndodhur në Kosovë pas hyrjes së trupave ushtarake ndërkombëtare? Ishin ca hetime, por në gjykimet e rastit rrallë mund të jetë dëgjuar ndonjë dyshim se UDB-ja ka pasur dorë në ato vrasje.

Nuk mund të ketë njeri normal që e përjashton aktivitetin kriminal të UDB-së përbrenda shqiptarëve – dje, sot e nesër. Shërbimet sekrete serbe kanë vepruar që para fillimit të Luftës së Parë Ballkanike e deri më sot. Dihet mirë së në fokus kishte shqiptarët. Nëse ka vrarë nxënësit e fëmijët serbë për qëllimet e veta, ka vrarë dhjetë fish më shumë shqiptarë atdhetarë, por edhe shërbëtorët shqipfolës.


UDB-ja e ka njohur dhe e njeh mirë edhe mentalitetin shqiptar, futjen e lehtë të përçarjes të cilën e ka shfrytëzuar për më shumë se 100 vjet. Ndërkaq, qe krijuar një bindje se shqiptarët po vriten mes veti. Dhe, ashtu vazhdon deri më sot.

Para pak kohësh, Vuk Drashkoviqi ka thënë se UDB-ja likuidonte edhe shqiptarët luajalë ndaj Serbisë, me qëllim të vetëm që ta thellonte urrejtjen serbe ndaj shqiptarëve dhe që krimet t’ua vishte shqiptarëve. Në këto pak fjalë të Drshkoviqit, fshihet enigma me të cilën nuk u morën asnjëherë ata që duhet. Sidomos pas luftës, pakkush e ka zënë në gojë veprimtarinë kriminale të shërbimeve serbe.

Vuk Drashkoviqi, vojvoda çetnik, sikur e ka zhveshur lëkurën e ujkut, emrin e të cilit e mban. E shohim gjithnjë e më shpesh nëpër televizione, pas një heshtjeje të gjatë, me gjasë duke pritur mos Kosova do t’i “kthehet” Serbisë?! Ai nuk ka ndryshuar aq shumë, sa iu duket atyre që e dëgjojnë. Përshkrimet e tij duhet të lexohen me shumë kujdes, sepse di se çka po thotë. Është edhe shkrimtar me shumë vepra dhe di të luajë me metaforat. A ka ndryshuar diçka politika serbe dhe a është ai i porositur për këtë që po flet nga pushteti i tashëm serb që është vazhdimësi e regjimit të Sllobodan Millosheviqit dhe radikalëve të Sheshelit – që nga viti 1990? Një analist i njohur serb këto ditë tha se vuçiqizmi me të zezat e tij ka tejkaluar edhe millosheviqizmin e sheshelizimin.

Mashtrohet secili që mendon se ka ndryshuar aq shumë Vuku i cili ishte edhe ministër i Millosheviqit – ministër i Jashtëm i ish-RFJ-së (Serbia dhe Mali i Zi). Në paraqitjen e tij në TV N1, temë për debat ishte deklarata lidhur me vrasjen e të rinjve serbë në kafenenë “Panda” afër Pejës, në kohën e luftës në Kosovë. Kur flet për krimin në “Panda”, shihet se temë të parë ka Kosovën dhe shqiptarët. Çirret që të nënshkruhet menjëherë Marrëveshja e Ohrit dhe në fjalën e tij të parë del puna e formimit të bashkësisë së komunave me shumicë serbe.

Pse e kanë ftuar në bisedë informative në Prokurori, ajo punë duket si përpjekje për të mbuluar veprimet e regjimit të Beogradit dhe për të vajtuar rusët që po vriten në Ukrainën e tij “të dashur”. Gjatë intervistës thekson së në qytetin Bahmut – ku po zhvillohen luftimet e ashpra – ka popullatë serbe të dëbuar në kohën e pushtimit austro-hungarez të Serbisë, gjatë Luftës së Parë Botërore. Krejt paraqitjet e tij kanë në fokus hutimin e shqiptarëve, kinse Serbia e tij po demokratizohet. E, paraqitjet e tij edhe po shpërndahen me të madhe, pa asnjë analizë.

Pse aq rrallë shkruajnë mediat tona për krimet serbe në Kosovë?!

Çdo lajm a informatë, për cilëndo masakër serbe, në cilën do pjesë të Kosovës nuk cilësohet si p. sh. Masakra serbe në Izbicë, por si Masakra e Izbicës. Pse të quhet Masakra e Rezallës apo Masakra e Poklekut e jo Masakra serbe e Rezallës apo Masakra serbe në Poklek”? Nga këta tituj të painformuarit mund të fitojnë përshtypjen se ata fshatarë janë vetëmasakruar. Vetëm në vazhdim të informacionit (më vonë), dëgjojmë a lexojmë ndonjë fjalë a fjali se kush i masakroi shqiptarët në shtëpitë e veta.

Nga informatat që ka Drashkoviqi nga dora e parë, nxjerr vetëm fjalitë që i duhen. Edhe Drashkoviqi, ashtu si Vuçiqi, e di saktë se ku janë varrosur shqiptarët e vrarë e të zhdukur gjatë luftës nga ushtria dhe policia serbe? Drashkoviqi, i cili ishte shumë aktiv e në funksione të larta të shtetit serb, pikërisht gjatë kohës së luftës, e di mirë se cila është e vërteta kur thotë: Ishte e hënë, 14 dhjetor i vitit 1998, disa minuta pas mesnate kur nëpër rrugët e qytetit të Pejës patrullonin ushtarët e RFJ-së, forcat paramilitare të Serbisë, hamerët e njësitet e policisë speciale serbe (JSO) të Millorad Ulemek-Legisë. Në një kafene me emrin “Panda”, afër gjimnazit “Sveti Sava”, ndërhynë terroristët. “Ua!” – u gërvallen ata dhe shtinë me armë, pastaj vrapuan në rrugë. Askush nga ushtarët dhe policia nuk i ndaloi. U dëgjuan sirenat e hamerëve të JSO-së. ‘’Afër karrigeve, ku ishin ulur nxënësit, ishin shtrirë gjashtë nxënës serbë të vdekur, e dy të plagosur”, tha Drashkoviqi. “Shumë shpejt, për ta ndërprerë katastrofën humanitare të shqiptarëve, pasoi bombardimi i Serbisë nga NATO. Afër 800 mijë shqiptarë Serbia i dëboi nga shtëpitë e veta për në Shqipëri, për në Maqedoni dhe në Mal të Zi, ndërsa mijëra të tjerë, varfanjakë duarthatë, pleq, gra e fëmijë që i vranë serbët, i morën dhe hodhën nëpër lumenj dhe nëpër liqene të Serbisë, në varreza masive sekrete – si ajo në poligonin e policisë në Beograd”. “Millosheviqi e humbi luftën me NATO-n. Ai e nënshkroi kapitullimin, ndërsa me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, Serbia, si shtet banditësh, u dëbua nga Kosova, ndërsa Hitleri serb vdiq në burgun e Hagës”, shton ai.

As më vonë, kur ra Millosheviq në “Serbinë demokratike”, vrasja e nxënësve serbë në kafenenë “Panda” nuk u hetua nga organet përkatëse. Edhe për pushtetarët e rinj, vrasësit ishin dhe mbesin “terroristët të paidentifikuar shqiptarë”. Prindërit e nxënësve të ekzekutuar serbë, kot kërkuan në Beograd gjetjen, arrestimin dhe dënimin e vrasësve. Ata prindër askush nga qeveritarët serbë asnjëherë nuk i priti në ndonjë zyre të shtetit.

Pushteti serb vazhdoi ta përkujtonte masakrën në çdo përvjetor, ashtu si në ditën kur ndodhi, duke trumbetuar lajmin si në ditën e krimit dhe duke e konsideruar si vepër të “terroristëve shqiptarë”. Krejt papritmas, 15 vjet pas vrasjes së nxënësve serbë në “Panda”, me 28 dhjetor 2013, Aleksandër Vuçiqi – asokohe nënkryetar i Qeverisë së Serbisë dhe koordinator i shërbimit të sigurimit – kur po i drejtohej opinionit të Serbisë kumton se këtë masakër nuk e kanë kryer shqiptarët, as shërbimet e huaja sekrete, dhe se Serbia do të tronditet kur ta kuptojë të vërteten. Vuçiqi, edhe si kryeministër apo si president i Serbisë, e ka përsëritur këtë deklaratë, por emrat e terroristëve dhe të atyre që urdhëruan vrasjen e nxënësve serbë vazhdojnë të mbesin enigmë. Vuçiqi as nuk i priti prindërit e atyre fëmijëve fatkeq serbë dhe as nuk e zbuloi kurrë të vërtetën, siç duhet.

Pse tash e dhjetë vjet nuk ka përgjigje?

Ndoshta vet ai ka marrë përgjigje nga prokurori i shtetit?

Në trend

Më shumë

"Mund të shkojë deri në 1 milion dollarë?": Ekspertët tregojnë se çfarë mund të ndodhë, nëse SHBA nën Trump krijon një 'rezervë kombëtare me bitcoin'

Botë
Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”

Botë
Ruben Amorim kritikon haptas yllin e Man United pas barazimit ndaj Ipswich Town

Ruben Amorim kritikon haptas yllin e Man United pas barazimit ndaj Ipswich Town

Premier League
Sulmi ukrainas me raketat britanike Storm Shadow, la të vrarë 500 ushtarë të Koresë së Veriut dhe një gjeneral rus

Sulmi ukrainas me raketat britanike Storm Shadow, la të vrarë 500 ushtarë të Koresë së Veriut dhe një gjeneral rus

Evropa
Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Lajme
Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet

Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet

Lajme
Kalo në kategori