U propozua për ministër, Hoti: Puna në institucione është detyrë shërbimi, jo privilegj

Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, ka reaguar pas dështimit të formimit të Qeverisë “Kurti 3”, ku ai ishte propozuar nga mandatari Albin Kurti për ministër të Familjes dhe Mirëqenies Sociale.
Në një postim në Facebook, Hoti theksoi se vendimi i tij është i menduar mirë dhe i bazuar në rrethanat aktuale, duke shtuar se përgjegjësia e tij ndaj njerëzve mbetet e pandryshuar.
“Puna në institucione nuk është privilegj, por detyrë shërbimi ndaj qytetarëve. Pavarësisht që sot nuk u arrit të formohet Qeveria e re, ky është një realitet politik që duhet pranuar me qetësi dhe përgjegjësi”, ka shkruar ai.
Ai tha se nuk dëshiron të përfshihet në debatet politike, por theksoi se ende mungon vetëdijesimi për veprim të unifikuar në shërbim të interesave shtetërore e kombëtare.
Duke shprehur mirënjohje për besimin e marrë nga Kurti, Hoti u zotua se do të vazhdojë të jetë në shërbim të qytetarëve dhe vlerave që bashkojnë shoqërinë.
“Duke e parë politikën si mjet shërbimi dhe jo përfitimi, aty ku jam, aty ku do të jem, dhe aty ku më besohet puna ime, do të vazhdoj të jem në shërbim të qytetarëve dhe të vlerave që na bashkojnë”, përfundoi Hoti.


















































