U lëndua aksidentalisht, humb jetën një fëmijë dyvjeçar në QKUK

Një fëmijë i moshës 2-vjeçare, i cili ishte rrëzuar më 31 gusht në fshatin Vrajakë të Rahovecit, ka ndërruar jetë ndërsa ishte duke marrë trajtim mjekësor.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, deklaroi se fëmija kishte marrë lëndime në kokë pas rrëzimit.
Fillimisht ai ishte dërguar në spitalin rajonal të Gjakovës, e më pas ishte transferuar në QKUK, ku ka vazhduar trajtimin deri sot kur ka ndërruar jetë.
“Me datë 31.08.2025, rreth orës 16:30, stacioni policor në Rahovec është njoftuar se në fshatin Vrajakë ka ndodhur një rast lëndim aksidental. Viktima – një fëmijë i gjinisë mashkull, i lindur në vitin 2023 – ishte rrëzuar dhe kishte pësuar lëndime në kokë. Sot jemi njoftuar se i njëjti ka ndërruar jetë. Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar të iniciohet rasti ‘Hetim i Vdekjes’”, thuhet në njoftimin e policisë.
Autoritetet kanë nisur procedurat hetimore për të sqaruar rrethanat e ngjarjes./Telegrafi/













































