Lajmi se aktorja Egzona Salihu u largua nga Teatri i Preshevës bëri bujë të madhe gjatë këtyre ditëve, e pasoi me reagime të shumta.

Kjo për faktin se njoftimi u bë nga vet artistja me anë të një shkrimi të shpërndarë në rrjete sociale, ku edhe shpërfaqi gjithë historinë që vjen prapa kësaj.


Ajo fajësoi drejtorin e Shtëpisë së Kulturës në Preshevë, për të cilin bëri edhe disa akuza, ndonëse u paralajmërua edhe herë të tjera.

347406621 278413047940499 5488733372958509178 n Egzona Salihu (Foto: Facebook)

Në një prononcim për Telegrafin, Salihu ka ndarë të gjitha detajet rreth kësaj ngjarjeje, problemet me të cilat është ballafaquar e deri te masat që do të ndërmarrë.

Ajo theksoi se për këtë është paralajmëruar rreth dy javë më parë me vërejtje për përjashtim.

367983502 10223957654880208 67458801103646946 n Egzona Salihu (Foto: Facebook)

E njëjta shtoi se lajmi për përjashtim i kishte ardhur me postë në shtëpi, përkundër se ato ditë ndodhej akoma në vendin e punës.

“Lajmi për përjashtim më ka ardhur me postë në shtëpi pas pesë ditëve nga data e përjashtimit ndërsa unë ato ditë kam shkuar në punë dhe nuk kam qenë aspak e informuar”, u shpreh Salihu.

Edhe pse diplomoi për aktrim, Egzona punonte si ndriçuese, pasi nuk i njihej diploma meqë studimet i kishte përfunduar në Kosovë.

“Në Teatrin e Preshevës kam qenë e punësuar për më shumë se pesë vite me kontratë si ndriçuese për shkak të mos njohjes së diplomës sepse studimet i kam përfunduar në Kosovë. Por sigurisht pavarësisht kontratës unë kam punuar si aktore”, tha mes tjerash artistja.

Vendimi sipas saj është marrë për inate personale politike dhe se nuk është telefonuar e as nuk ka marrë më ndonjë mesazh nga ana e tyre.

E në atë se cilat janë masat që do të ndërmarrë, Salihu e thotë se nuk do e lë me kaq dhe se do të ndjekë hapat ligjor për këtë çështje.

Reagimet ndërkohë kanë qenë të shumta në mediat sociale, nisur nga aktorë e njerëz me të cilët ka punuar, duke shprehur po ashtu pakënaqësitë e tyre me padrejtësitë që i janë bërë.

“Shumë mbështetje kam marrë nga të gjithë, gjithashtu edhe oferta për bashkëpunime të reja për punë, të cilët i falënderoj jashtëzakonisht shumë”.

368059909 693232116180447 5923616957499100957 n Egzona Salihu (Foto: Facebook)

Sa i përket planeve të reja, Egzona thotë që momentalisht është e angazhuar në dy projekte të reja dhe se do të vazhdojë të merret me profesionin.

Mes zhurmës së madhe dhe polemikave në rrjet, ajo ka dhënë një mesazh për të gjithë ata që dëshirojnë t’i ndjekin ëndrrat e tyre.

“Mesazhi im është që asnjëherë të mos dorëzohen dhe t’i luftojnë gjithmonë padrejtësitë, presionin, diskriminimin edhe nëse kjo vjen nga personat me pushtet”, përfundon bisedën për Telegrafin Egzona Salihu. /Telegrafi/

366026618 10159296480311816 60928034938116682 n Egzona Salihu (Foto: Facebook)