Një grup turistësh spanjollë kanë ngelur të bllokuar për disa orë në kanionet e Nivicës, Tepelenë ndërsa është dashur ndërhyrja e policisë dhe shërbimeve të emergjencës për evakuimin e tyre.

Grupi i turistëve spanjollë ishte duke eksploruar zonën malore të Nivicës ndërsa si shkak i humbjes së orientimit kanë ngelur të bllokuar në zonën e kanioneve.


Pas marrjes së njoftimit policia lokale dhe shërbimet e emergjencës kanë punuar për lokalizimin e tyre ndërsa është identifikuar zona ku kishite humbur grupi i turisteve.

Policia dhe shërbimet zjarrfikëse ndodhen në vendngjarje dhe po bëjnë të mundur evakuimin e tyre nga një zonë malore dhe me reliev të thepisur.

Po ashtu, Policia lokale konfirmon faktin se turistët janë në gjendje të mirë dhe jashtë rrezikut për jetën, raporton euronewsal.

Ky grup turistësh kishin deklaruar se kishin marrë leje për hyrjen në zonë nga Ministria e Turizmit, dhe kishin vendosur të hynin në kanion pa udhërrëfyes vendas.

Kanioni i Nivicës është një prej destinacioneve më të bukura natyrore në Shqipëri, por edhe një prej më të vështirëve për eksplorim.

Thellësia, rrjedha e ujit, mungesa e sinjalit dhe terreni i thyer janë faktorë që e bëjnë veçanërisht të rrezikshëm për ata që nuk janë të pajisur me eksperiencën dhe pajisjet e nevojshme.