Forcat amerikane kanë goditur një tjetër anije që dyshohet se mbante drogë të paligjshme në brigjet e Venezuelës, sipas presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i cili duket se kërcënoi me veprime të mëtejshme brenda territorit të Venezuelës, shkruan Al Jazeera.

Duke folur në Stacionin Detar Norfolk të dielën pranë aeroplanmbajtëses USS Harry S Truman, Trump vlerësoi përpjekjet e Marinës për të luftuar atë që ai e quajti "terroristë të karteleve", duke vënë në dukje se një tjetër anije ishte goditur të shtunën.


"Në javët e fundit, Marina ka mbështetur misionin tonë për të shkatërruar terroristët e karteleve, bëmë një tjetër mbrëmë. Tani thjesht nuk mund të gjejmë asnjë", tha Trump.

Ndërsa presidenti iu referua një sulmi të shtunën, mbetet e paqartë nëse ai me të vërtetë kishte parasysh sulmin e së premtes apo një tjetër, transmeton Telegrafi.


"Ata nuk po vijnë më nga deti, kështu që tani do të duhet të fillojmë të kërkojmë në tokë sepse ata do të detyrohen të shkojnë nga toka", shtoi ai në një kërcënim të dukshëm për të goditur Venezuelën.

Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, i tha Fox News në një intervistë të dielën se ai kishte "çdo autorizim të nevojshëm" për të kryer sulme ushtarake ndaj anijeve pranë brigjeve të Venezuelës.

Ai nuk dha më shumë detaje rreth asaj që autorizimi i dha leje zyrës së tij për të bërë.

Në një postim në X pas sulmit të së premtes, Hegseth pretendoi se anija po transportonte "sasi të konsiderueshme narkotikësh - të drejtuara për në Amerikë për të helmuar popullin tonë".

“Këto sulme do të vazhdojnë derisa sulmet ndaj popullit amerikan të mbarojnë”, tha ai.

Në një video gati 40-sekondëshe të sulmit të ndarë nga Hegseth, një anije mund të shihet duke lëvizur nëpër ujë përpara se një rrjetë predhash të bjerë mbi anijen dhe ujin përreth, duke shkaktuar shpërthimin e anijes pas impaktit.



Ai pretendoi se inteligjenca “pa dyshim” konfirmoi se anija mbante drogë dhe se njerëzit në bord ishin “narko-terroristë”.

Ai nuk zbuloi as sasinë dhe as llojin e drogës së dyshuar në bord, dhe nuk publikoi asnjë provë për të mbështetur pohimin e tij se objektivat e sulmit ishin kontrabandistët e drogës.

Sulmet e fundit e çojnë numrin e sulmeve të tilla të SHBA-së në të paktën katër, ndoshta pesë, me të paktën 21 persona të vdekur.

Trump njoftoi Kongresin të enjten se administrata e tij kishte përcaktuar se anëtarët e karteleve të drogës janë “luftëtarë të paligjshëm”, me të cilët SHBA-të janë të angazhuara në “konflikt të armatosur jo-ndërkombëtar”.

Trump të dielën u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se grumbullimi ushtarak i SHBA-së në Karaibe kishte ndaluar trafikimin e drogës nga Amerika e Jugut.

“Nuk ka drogë që hyn në ujë. Dhe do të shohim se cila është faza e dytë”, tha ai. /Telegrafi/