Policia angleze kanë nisur një kërkim urgjent për tre burra që dyshohet se janë të lidhur me një vjedhje prej 300 mijë funtesh në shtëpinë e yllit të Chelseat, Raheem Sterling, ndërsa ai ishte në Kupën e Botës.
Sipas mediumit The Sun, Alfred Isufi, 48 vjeç, Gerard Kalaja, 22 vjeç dhe Henri Osmani, 44 vjeç, të gjithë shtetas shqiptarë, po kërkohen për t’u marrë në pyetje mbi 33 vjedhje, duke përfshirë edhe një thyerje në shtëpinë e sulmuesit anglez.
Shtëpia e yllit të Ligës Premier me vlerë 7 milionë funtesh në Oxshott, dyshohet se u grabit ndërsa Sterling ishte në detyrë ndërkombëtare me Anglinë në Katar.
Sterling u detyrua të kthehej nga Kupa e Botës për të qenë me familjen e tij pas tmerrit, me 28-vjeçarin që humbi fitoren e Tre Luanëve ndaj Senegalit në fazën e 1/8-tës, ndërsa u kthye për të ngushëlluar familjen e tij.
Tani, detektivi James Ansell, nga Policia e Surrey, i ka thënë mediumit BBC se policët po përpiqen të përcaktojnë vendndodhjen aktuale të treshes shqiptare.
Të tre personat e kërkuar kanë të gjithë lidhje me Harlow, Essex dhe Londrën veriore dhe nuk besohet se janë larguar nga Mbretëria e Bashkuar.
“Hetimi i shtëpive të vjedhura është prioritet për policinë e Surrey dhe ne do të jemi të pamëshirshëm në ndjekjen e këtyre autorëve”, ka thënë Ansell për BBC.
Në vjedhjen e shtëpisë së Sterling dyshohet se janë marrë ora me vlerë 300 mijë funte dhe bizhuteri.
E fejuara e tmerruar e Sterling, Paige Milian, 27 vjeçe, po kujdesej për dy fëmijët e tyre kur ngriti alarmin.
Mësohet se askush nuk ishte në shtëpi në atë moment, por policia thuhet se u njoftua për sendet e humbura sapo banorët u kthyen.
Besohet se në të gjitha bastisjet, të cilat ndodhën në Surrey, Essex, Kent dhe Hertfordshire, janë marrë sende që arrijnë në rreth 1 milionë funte.
Një 23-vjeçar shqiptar ka dalë dje (e enjte) në gjykatë si i dyshuar tjetër. Emiliano Krosi, nga Southend-on-Sea në Essex, përballet me 33 akuza për kryerjen e vjedhjeve, ndër to edhe shtëpia e Sterling.
Krosi mbërriti vonë për një seancë dëgjimore në orën 10:30 në Gjykatën e Guildford Crown pasi furgoni që e transportonte nga HMP Wandsworth u prish.
Ai ishte vendosur të bënte një deklaratë, por nuk e bëri këtë, pasi avokati i tij Graham Bloëer ende nuk kishte shqyrtuar përmbledhjen e çështjes prej 40 faqesh.
Shqiptari foli vetëm për të konfirmuar emrin e tij dhe u dërgua në paraburgim përpara një seance të mëtejshme për menaxhimin e çështjes më 3 nëntor. /Telegrafi/