Tre fëmijë nga Ferizaj dorëzojnë në polici kuletën e gjetur me 614 euro

Një gjest i rrallë i ndershmërisë nga tre fëmijë të Ferizajt është vlerësuar sot nga Policia e Kosovës dhe qytetarët lokalë.
Të martën, më 18 nëntor, rreth orës 12:30, tre fëmijët R.T. (12 vjeçe), A.T. (11 vjeç) dhe D.T. (11 vjeç), nxënës në një shkollë të Ferizajt, kanë gjetur një portofol në njërën nga rrugët e qytetit dhe e kanë dorëzuar menjëherë në stacionin policor, përmes qytetarit N. Tërziu.
Policia njofton se në portofol janë gjetur dokumente personale dhe 614 euro.
Pas verifikimeve, është identifikuar pronarja, B.M. nga Ferizaj, e cila është paraqitur në stacion dhe ka konfirmuar se paratë dhe dokumentet ishin të paprekura. Portofoli i është kthyer me procesverbal zyrtar.
Pronarja ka falënderuar fëmijët dhe familjet e tyre për gjestin e tyre të ndershëm, duke e cilësuar atë si shembull të rrallë përgjegjësie dhe edukate.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka shprehur publikisht mirënjohjen e saj për tre fëmijët, duke e vlerësuar veprimin e tyre si “human, edukativ dhe shembullor”, që pasqyron vlerat më të larta morale dhe qytetare.
Policia ka theksuar se ky rast duhet të shërbejë si shembull për të gjithë, veçanërisht për gjeneratat e reja, për rëndësinë e ndershmërisë dhe përgjegjësisë shoqërore. /Telegrafi/

















































