Djersa nuk është provë suksesi. Ja pse dimri shpesh sjell humbje peshe më të qëndrueshme se vera

Dimrit shumë njerëz e humbin besimin te stërvitja vetëm sepse nuk djersiten si në verë. Ushtrojnë, lodhen, ndjekin programin, por peshqiri mbetet pothuajse i thatë. Dhe menjëherë lind dyshimi klasik: “S’po funksionon.” Në realitet, dimri është shpesh periudha kur ndodhin ndryshimet më të pastra dhe më reale në trup.


E dimë se djersa është vetëm reagim i trupit ndaj temperaturës. Kur ambienti është i ftohtë, trupi nuk ka nevojë të prodhojë shumë djersë për t’u ftohur. Por kjo nuk e ndalon aspak procesin e humbjes së yndyrës. Metabolizmi vazhdon të punojë, kaloritë shpenzohen dhe trupi përdor rezervat e energjisë njësoj si në çdo stinë tjetër.

Një shembull shumë konkret është rasti i një femre që ka nisur dimrin me rreth 80 kilogramë. Nuk ka bërë asgjë ekstreme. As dieta drastike, as stërvitje pa kontroll. Ka filluar me një rutinë të rregullt, stërvitje force tre deri katër herë në javë, pak kardio të kontrolluar dhe ushqim të thjeshtë, por të rregulluar. Nuk ka ndjekur ndonjë “plan magjik”. Vetëm disiplinë.

Në javët e para, pesha nuk ka rënë menjëherë. Madje ka pasur ditë kur mendonte se nuk po bënte mjaftueshëm, sepse nuk djersitej shumë dhe nuk ndiente atë lodhjen e verës. Por trupi po punonte. Pas rreth një muaji, pesha ka zbritur nga 80 në 77 kilogramë. Jo me shpejtësi, por në mënyrë të qëndrueshme.


Gjatë muajit të dytë, trupi ka filluar të ndryshojë më dukshëm. Rrobat kanë filluar t’i rrinë më lirë, beli është holluar dhe energjia gjatë ditës është rritur. Pesha ka zbritur në 74–75 kilogramë. Ende pa djersë të tepërt, ende pa ndonjë ndjesi “u shkriva”, por me progres real.

Deri në fund të dimrit, pesha ka arritur rreth 70 kilogramë. Dhjetë kilogramë më pak, jo të humbur përmes ujit apo lodhjes së rreme, por përmes deficitit kalorik, stërvitjes së rregullt dhe kohës. Trupi është shtrënguar, forma është përmirësuar dhe ajo që është më e rëndësishmja, rezultati ka qenë i qëndrueshëm.

Çfarë ka ndodhur realisht gjatë gjithë këtij procesi. Trupi ka qenë vazhdimisht në një deficit kalorik të moderuar. Stërvitja e forcës ka ruajtur masën muskulore dhe ka mbajtur metabolizmin aktiv. Ambienti i ftohtë thjesht ka ulur nevojën për djersitje, por jo për punë metabolike.

Nëse djersa do të ishte kriter për dobësim, sauna do të ishte zgjidhja ideale për humbje peshe. Por të gjithë e dimë se ajo peshë kthehet sapo trupi hidratohet. Humbja reale e yndyrës ndodh në heshtje, pa zhurmë dhe pa spektakël.

Dimri ka një avantazh që shpesh nuk vlerësohet. Stërvitjet janë më të qeta, më të fokusuara dhe më të kontrolluara. Nuk ka nxehtësi ekstreme, nuk ka lodhje të rreme. Ka vetëm rutinë, disiplinë dhe kohë. Pikërisht këto japin rezultat.

Disa këshilla praktike për dimër:

  • Mos e mat progresin me djersë, por me javë dhe muaj.
  • Mbaje ushqimin të rregulluar, jo ekstrem.
  • Fokusohu te stërvitja e forcës, jo vetëm te kardio.
  • Ji i durueshëm, sepse trupi ndryshon gradualisht.

Trupi nuk pyet sa je djersitur pas një stërvitjeje. Ai reagon ndaj asaj që bën çdo ditë. Dimri nuk djersit shumë, por dobëson më mirë se sa mendoni. /Telegrafi/