Në një qëndrim zyrtar nëpërmjet këshilltarëve ligjorë, sqarohet se Presidenti i Republikës gjatë gjithë veprimtarisë së tij ka qenë konsekuent në zbatim të kompetencave të tij, në përputhje me dispozitat kushtetuese, dhe se në asnjë rast Presidenti nuk është gjendur nga Gjykata Kushtetuese në kundërshtim me këto dispozita.

Në deklaratën e Këshilltarëve të Topit thuhet se “Kushtetuta dhe jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese janë mjaft të qarta në përcaktimin e kompetencave të Presidentit të Republikës dhe të Kuvendit të Shqipërisë për ushtrimin e detyrimeve të tyre”.


“Emërime të tilla nuk mund të kërkojnë konsultime paraprake, jo vetëm sepse vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk e kërkon diçka të tillë, por edhe sepse parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve presupozon respektim të kompetencave të secilit institucion dhe jo konsultim paraprak. Ky është edhe mendimi i anëtarëve të Komisionit të Venecias në Opinionin e datës 7 dhjetor 2004, ku thuhet: Kërkesa për dhënien e pëlqimit nga Kuvendi, nuk do të thotë një ndërhyrje paraprake të Kuvendit në zgjedhjet e Presidentit, por do te thotë se Kuvendi ka kompetencën për dhënien ose jo të pëlqimit”. /Telegrafi/