Ndërmarrja Publike “Trainkos” Sh.A., ka bërë të ditur se në Stacionin Hekurudhor të Hanit të Elezit, është evidentuar një akt i qëllimshëm dëmtimi i disa vagonëve të sapo riparuar, të cilët qëndrojnë në këtë stacion përkohësisht për shkak të mbylljes së linjës Hani i Elezit – Fushë Kosovë.

Vagonët në fjalë janë rikonstruktuar përmes një investimi publik në vlerë prej 423,000 euro, të ndara nga Ministria e Ekonomisë, dhe ende nuk janë vendosur në operim.


"Dëmtimi i tyre para përdorimit operacional paraqet një goditje të rëndë ndaj përpjekjeve për përmirësimin e transportit hekurudhor në Kosovë", thuhet në reagim.

TrainKos, thekson se ky akt është një shembull i papërgjegjshmërisë dhe mungesës së ndërgjegjësimit qytetar për ruajtjen e pronës publike.

"Dëmtimi i aseteve të ndërmarrjes nuk cenon vetëm Trainkos-in si institucion, por gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët janë përfitues të drejtpërdrejtë të investimeve publike".

Trainkos Sh.A., thotë ka informuar organet kompetente dhe pret që të ndërmerren hetimet e nevojshme dhe të merren masa ndaj personave përgjegjës.

"Ne mbetemi të përkushtuar në ofrimin e një transporti të sigurt, cilësor dhe modern, dhe kërkojmë nga të gjithë qytetarët bashkëpunim për mbrojtjen e aseteve publike dhe parandalimin e rasteve të tilla në të ardhmen", thuhet në fund./Telegrafi.