LAJMI I FUNDIT:

Edhe themelimi i Institutit për Krime Lufte mund të përfundojë në Kushtetuese

Edhe themelimi i Institutit për Krime Lufte mund të përfundojë në Kushtetuese

Brenda gjashtë muajve do të procedohen aktet nënligjore për themelimin e Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë. Kështu zotohet ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila edhe vetë ka mëdyshjet se kjo nismë ligjore do të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese për interpretim.

Haxhiu ka deklaruar se shumë shpejt do të bëhet edhe përzgjedhja e drejtorit dhe stafit mbështetës i Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.

Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës po sheh mundësitë që ky ligj të dërgohet në Kushtetuese, meqë konsiderojnë se është në dëm të interesit shtetëror të Kosovës periudha kohore me të cilën do të merret instituti. Edhe Fondi për të Drejtën Humanitare shpreh kritikat, meqë konsiderojnë se instituti do të mbetet një instrument në duart e qeverisë.


Ditë më parë, Kuvendi i Kosovës miratoi në lexim të dytë Ligjin për Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës së Kosovës.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu deklaron se për herë të parë Kosova po e themelon një institut që do të jetë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. Ajo thekson se me themelimin e këtij institucioni do të adresohen dhe dokumentohen krimet e luftës, gjenocidit dhe krimeve kundër njerëzimit.

“Sipas ligjit që është miratuar së fundmi nga Kuvendi, natyrisht nëse nuk dërgohet nga opozita në Gjykatën Kushtetuese, sepse kemi pasur kundërshtime nga PDK sa i përket të njëjtit, nëse nuk dërgohet, brenda periudhës brenda gjashtë muajsh ne do t’i procedojmë aktet nënligjore për themelimin e këtij institucioni. Dhe në këtë drejtim, brenda një kohe shumë të shkurtër do të bëhet përzgjedhja e drejtorit por edhe stafit mbështetës. Keni parasysh që është shumë e rëndësishme që personat që do të angazhohen në këtë institut, do të jenë persona të profilizuar, të marrin trajnimet e nevojshme sepse 24 vite pas luftës nuk është gjithmonë e lehtë që të adresohet secili krim që ka ndodhur në periudhën e luftës. Megjithatë, unë vlerësoj që pavarësisht që jemi vonë nuk është e pamundshme që të adresojmë dokumentimin e krimeve të luftës”, deklaron ministrja Haxhiu.

Partia Demokratike e Kosovës ka mendime të tjera në lidhje me këtë institut. Deputetja Blerta Deliu-Kodra konsideron se kjo nismë ligjore është në dëm të interesit shtetëror dhe kombëtar të Kosovës.

“Janë një mori ligjesh të cilat kanë ardhur së fundmi, fatkeqësisht kjo qeveri është një prej qeverive që më së shumti në historinë e parlamentarizmit, ose historinë e qeverive të Kosovës që kanë rënë ndesh me kushtetutën. Në varg prej tyre fatmirësisht Gjykata Kushtetuese i ka kthyer në pikën zero, një pjesë e tyre janë në pritje për të marrë përgjigje nga Gjykata Kushtetuese. Ndërkohë që për Projektligjin për Institutin për Hetimin e Krimeve të Luftës, ne jemi duke e analizuar në tërësi se si t’i qasemi dhe cila pjesë do të jetë objekt trajtimi në mënyrë që ta dimë saktësisht se në çfarë forme do ta adresojmë dhe do ta parandalojmë një ligj, i cili në fakt është në dëm të interesit shtetëror dhe kombëtar të Republikës së Kosovës”, shton ajo.

Kjo parti opozitare po ashtu konsideron se miratimi i këtij ligji në lexim të dytë, është fatkeqësi për parlamentin.

“Shqetësimi më i madh dhe kryesor ka qenë fushëveprimi, faza e trajtimit të krimeve të luftës në Kosovë. Iniciuesi në këtë rast ka propozuar që faza e fundit të jetë 31 dhjetor të vitit 2000, ndërkohë që ne e dimë që lufta në Kosovë ka përfunduar në qershor të vitit 1999. Prandaj, kjo ka qenë absolutisht e papranueshme, marrë në konsideratë pretendimet e Serbisë tash e sa vjet që ta drejtojë gishtin nga Kosova për krime të supozuara nga Serbia për fabrikimin e krimeve, propagandën, konspiracionet që Serbia tash e sa vjet i bën në drejtim të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të drejtimit të gishtit, që pretendon se ato krime janë kryer nga shqiptarët”, deklaron Deliu-Kodra.

Megjithatë, ministrja e Drejtësisë e konsideron manipulimin publik, deklaratat e tilla në lidhje me këtë çështje.

“Unë e konsideroj manipulim publik deklaratën e shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së (Abelard Tahiri). Ai nuk e kishte marrë mundin që të vij në Kuvend që të diskutojë për këtë, ta mbështes apo jo projektligjin. Por kishte reaguar publikisht për të njëjtin, sepse pikërisht ditën kur u votua në lexim të dytë kishte një reagim të tij. Manipuloi publikisht sepse theksoi që qeveria e ka përkufizuar periudhën e luftës nga janari 1998 deri në dhjetor 2000. Kjo është e pavërtetë, ju lutem që t’i referoheni gjithnjë ligjit që është votuar në Kuvend, në lexim të dytë. Sepse ne kemi bërë një adresim të rëndësishëm, ku periudha e luftës konsiderohet janar 1998 deri më 20 qershor 1999. Dhe në anën tjetër kemi konsideruar që instituti po ashtu mund të merret edhe me krimet të cilat kanë ndodhur para luftës dhe që ndërlidhen me luftën”, thekson Haxhiu.

Përkundër mendimit se themelimi i këtij instituti është hap i mirë, drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare të Kosovës, Bekim Blakaj deklaron se nuk janë marrë parasysh shumë nga rekomandimet e tyre.

“Një nga kërkesat tona kryesore ka qenë që megjithatë ky institut mos të jetë nën ombrellën e institucioneve politike, por për fat të keq, ashtu mbeti. Përfundimisht do të jetë një agjenci në kuadër të Zyrës së Kryeministrit dhe kryeministri ka kompetenca të plota mbi këtë ligj dhe ato shihen më së miri në pjesën e cila merret me drejtorin ekzekutiv të agjencisë apo të Institutit për Hetimin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës, e emëron kryeministri drejtpërdrejt, e shkarkon apo ia zgjat mandatin bile edhe lartësinë e pagës ia përcakton kryeministri. Kjo do të thotë që instituti do të mbetet një instrument në duart e qeverisë, respektivisht të kryeministrit”, shprehet ai.

Edhe profesori i së Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu konsideron se ky institut duhet të jetë i pavarur.

“Ky institut duhet të jetë i pavarur, autonom. Ky institut duhet të ketë statusin, tretmanin sikurse Instituti i Historisë, apo Albanologjik duhet të jetë larg politikës. Ky është instituti hulumtues, shkencor. Për këtë arsyeje mendoj që nuk duhet të jetë në Zyrën e Kryeministrit për shkak se mund të ketë implikime, ndikime politike për shkak se pas 1 viti, 2 vitesh ndërrohet kryeministri dhe bën ndonjë politikë tjetër aty, kështu që ky duhet të jetë autonom”, thotë Salihu.

Sipas tij, duhet të punohet në ritëm më të shpejt, meqë ka kaluar kohë e gjatë nga përfundimi i luftës në Kosovë.

“Ky institut duhet sa më shpejt t’i rekrutojë, t’i pranojë, të angazhojë njerëz të devotshëm, njerëz të cilët e kanë edhe përkushtim edhe emocional por edhe njerëzor e human që t’i hulumtojnë krimet e luftës që kanë ndodhur nga forcat serbe, për shkak se duke përfshirë edhe Bosnjë Hercegovinën, krimet që janë kryer në Kosovë nga forcat serbe gjatë vitit ‘98-‘99 janë krimet më të rënda që kanë ndodhur në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Janë masovike, rreth 93 masakra janë kryer, rreth 12 mijë popullatë civile janë masakruar, shkatërrimet e pasurisë janë me vlerë miliardë. Të gjitha këto duhet të hulumtohen, evidentohen, të shkruhen, të botohen në gjuhën shqipe, gjuhën angleze dhe pjesë-pjesë edhe në gjuhën e këtyre që kanë kryer këto krime, në gjuhën serbe, në libra por edhe në formë digjitale”, deklaron ai.

Gjatë draftimit të këtij projektligji, Bekim Blakaj shton se ndryshimet kryesore janë bërë për fushëveprimin e institutit. Në draftet e para, kjo çështje ka qenë e paraparë qartë që do t’i hetojë krimet të cilat kanë ndodhur mes datës 1 janar 1998 dhe 20 qershor 1999. Ndërsa, tani neni 2 që rregullon fushëveprimin është ndryshuar duke e vendosur edhe një paragraf të ri në këtë nen, ku thuhet se instituti mund të hetojë edhe krimet e luftës pas kësaj periudhe, por jo më shumë se sa deri më 31 dhjetor 2000.

Instituti për Hetimin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës është agjenci e përhershme dhe do të funksionojë për një periudhë të gjatë./kp/

Në trend Lajme

Më shumë
Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Lajme
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Drejtësi
Kalo në kategori