Thaçi pyetet për shkëmbimin e territoreve: Synohej paqja dhe integrimi ndërkombëtar

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se propozimi i tij për shkëmbim territoresh me Serbinë kishte për qëllim arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare dhe sigurimin e paqes afatgjatë mes dy vendeve.
Në një intervistë për Frankfurter Allgemeine Zeitung, Thaçi është pyetur lidhur me këtë ide dhe nëse ajo ishte diskutuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Qëllimi im kryesor ishte sigurimi i një paqeje të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë, që do t’u mundësonte të dyja vendeve të ecin përpara dhe Kosovës integrim të plotë ndërkombëtar. Do të ishte e pafalshme të lihen probleme të pazgjidhura për brezat e ardhshëm”, ka deklaruar Thaçi.
Ai ka theksuar se angazhimi i tij ka qenë i orientuar drejt një zgjidhjeje përmes dialogut dhe mjeteve diplomatike, në përputhje me rendin kushtetues të vendit.
Sipas tij, Bashkimi Evropian ka luajtur rol të rëndësishëm në procesin e dialogut Kosovë–Serbi, ndërsa përfshirja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka bërë progresin më të dukshëm.
“Përparimi është më i madh kur përfshihen edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë ai.
Thaçi ka vlerësuar se pesë vitet e fundit kanë qenë të humbura për Kosovën në raport me partnerët ndërkombëtarë, duke shprehur shqetësim edhe për masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj vendit.
Ai ka theksuar se ruajtja e marrëdhënieve me aleatët strategjikë duhet të mbetet prioritet i politikës shtetërore. /Telegrafi/





















































