Sot në Dhomat e Specializuara në Hagë ka rifilluar procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Para nisjes së seancës, në ambientet e jashtme të Gjykatës janë parë familjarë dhe miq të afërt të Thaçit dhe të tjerëve.


Ndër ta, vëllai i ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili është pritur para objektit të gjykatës nga Nait Hasani dhe Bislim Zogaj.

Po ashtu, Klestori, djali i Kadri Veselit, ka hyrë në ndërtesën e gjykatës pak para fillimit të seancës.

Dita e sotme do të fokusohet në paraqitjen e dëshmitarëve nga pala mbrojtëse.

Kjo fazë pritet të jetë kyçe për rrjedhën e mëtejshme të gjykimit, pasi mbrojtja do të paraqesë argumentet dhe provat në kundërpërgjigje ndaj akuzave të ngritura nga Prokuroria.

Ish-krerët e UÇK-së, përfshirë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, po përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat ata i kanë mohuar në mënyrë kategorike, duke i cilësuar si të pabazuara dhe politike.

Procesi gjyqësor po ndiqet me interes të madh në Kosovë dhe rajon, ndërsa mbështetja për të akuzuarit mbetet e fortë në publikun kosovar, i cili i sheh ata si figura kyçe të çlirimit dhe pavarësisë së vendit. /Telegrafi/