Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka bërë të ditur se ka pasur një bisedë telefonike me ndihmës-sekretarin e shtetit amerikan për çështje evropiane dhe euro-aziatike, Wess Mitchell, ndërsa janë pajtuar që të intensifikohen përpjekjet për të arritur një marrëveshje, e cila njëherë e përgjithmonë do t’i mbyllë armiqësitë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë
Thaçi në një postim në rrjetin social Facebook thekson se nevojitet një marrëveshje, e cila i hap rrugë njohjes reciproke dhe perspektivës së qartë të Kosovës për anëtarësim në NATO, BE, OKB dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
Lexoni të plotë postimin e Thaçit në Facebook:
“Sapo përfundova një bisedë telefonike me Ndihmës-Sekretarin e Shtetit të SHBA-së për Çështje Evropiane dhe Euro-Aziatike, Wess Mitchell, me të cilin biseduam për proceset politike nëpër të cilat po kalon Kosova.
Ndihmës-Sekretarin Mitchell e falënderova për qëndrimin e qartë të SHBA-së, për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kuadër të fazës së fundit të dialogut.
Ne u pajtuam që t’i intensifikojmë përpjekjet për të arritur një marrëveshje, e cila njëherë e përgjithmonë do t’i mbyllë armiqësitë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Një marrëveshje, e cila i hap rrugë njohjes reciproke dhe perspektivës së qartë të Kosovës për anëtarësim në NATO, BE, OKB dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Ndihmës-Sekretari Mitchell u zotua se Kosova do ta ketë mbështetjen e palëkundur të SHBA-së në këtë proces.
Përfshirja e SHBA-së dhe partnerëve tjerë strategjikë të Kosovës në fazën e fundit të dialogut, të lehtësuar nga BE-ja, është një garanci për suksesin e plotë dhe arritjen e një marrëveshjeje historike. Miqësia dhe besimi në SHBA-në do të jetë i përjetshëm”. /Telegrafi/