Sot për të 52-në herë deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk arritën të bëjnë konstituimin e legjislativit.

Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të insistojë në emrin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, gjersa partitë tjera, PDK, LDK e AAK kanë thënë se nuk do ta votojnë Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit.


E para një muaji, saktësisht më 26 qershor, Gjykata Kushtetuese kishte publikuar aktgjykimin në rastin KO124/25, ku kishte vendosur që deputetët e zgjedhur janë të obliguar që brenda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij aktgjykimi, të përfundojnë seancën konstituive përmes zgjedhjes së Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Lidhur me këtë, këtë të enjte, më 24 korrik, Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme ndaj veprimeve dhe vendimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit, duke ndaluar çdo aktivitet parlamentar nga data 26 korrik 2025 deri në një vendim të mëtejmë. /Telegrafi/

25/07/2025 11:28-Dështon për të 52-herë konstituimi i Kuvendit, seanca e radhës të shtunën

Ka dështuar për të 52-në herë konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Për shkak se ka mbetur vetëm edhe dita e shtunë si afat për konstituimin e Kuvendit, kryesuesi Avni Dehari theksoi se si tentativë për t’i lëvizur gjërat seanca e radhës do të mbahet pas 24 orëve, e jo pas 48 orëve. “Seanca e radhës mbahet të shtunën, në ora 14:00”, tha ai.

25/07/2025 11:25-Çitaku, Bajrami e Kadrijaj kërkojnë nga kryesuesi Dehari t’i kthehet rendit të ditës, iu ndalet mikroni

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë kërkuar sot nga kryesuesi Avni Dehari t’i kthehet rendit të ditës. Vlora Çitaku nga PDK, Hykmete Bajrami nga LDK dhe Time Kadrijaj nga AAK me të dalë në foltore kërkuan nga kryesuesi t’i kthehet rendit të ditës. Pas kësaj, kryesuesi Avni Dehari kërkoi që t’u ndalet mikrofoni.

25/07/2025 10:53-Haradinaj: Zgjedhjet duhet të jenë opsioni i fundit, Dehari nuk po i menaxhon mirë seancat

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha sot se masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese është e shkurtër, dy javore dhe jep shpresë se pas dy jave do të ketë edhe zhvillime të reja, me një masë finale. Ai tha se AAK gjithnjë shkon në Kuvend me shpresë se do të ketë lëvizje nga ata siç tha që e kanë bllokuar procesin, ndërsa shtoi se si AAK do të votonin për një kandidat të pranueshëm. Lideri i AAK-së po ashtu theksoi se kryesuesi Avni Dehari po e menaxhon keq seancën. I pyetur nëse AAK është e gatshme për zgjedhje, Haradinaj theksoi se po, por sipas tij, zgjidhjet duhet të jenë opsioni i fundit.

25/07/2025 10:49-Haxhiu: Në mungesë të reflektimit politik, zgjidhja mund të jenë zgjedhjet

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëherësh kandidate për kryetare të Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka folur për situatën e bllokuar në Kuvend, duke komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për masën e përkohshme. Haxhiu para mediave ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nuk kishin kërkuar masë të përkohshme, rrethanat aktuale dhe afatet kushtetuese e bënë të nevojshme ndërhyrjen e Kushtetueses. Ajo shtoi se pavarësisht masës së përkohshme që hyn në fuqi më 27 korrik, nuk përjashtohet mundësia që edhe tjera seanca të mbahen sot ose nesër, deri në përfundim të afatit.

25/07/2025 10:31-​Ambasadorët e vendeve mike pritet të jetë në seancë  

Ambasadorët e shteteve mike pritet të marrin pjesë të premten në vazhdimin 52-të të seancës konstituive në Kuvendin e Kosovës. Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë siç transmeton kp njofton se duke pasur parasysh se nesër është mundësia e fundit për të konstituar Kuvendin para afatit të Gjykatës Kushtetuese, Ambasadori Rohde, së bashku me kolegë të tjerë ndërkombëtarë, planifikon të marrë pjesë në seancën në parlament. “Duke pasur parasysh se nesër është mundësia e fundit për të konstituuar Kuvendin para afatit të Gjykatës Kushtetuese, Ambasadori Rohde, së bashku me kolegë të tjerë ndërkombëtarë, planifikon të marrë pjesë në seancën në parlament”, thuhet në njoftim.