LAJMI I FUNDIT:

Të ngujuarit e harruar

Të ngujuarit e harruar
Ilustrim

– Të fala nga Anton Çetta! –

O njerëz zemërbardhë! O njerëz shpirtmirë!
 Edhe ju o njerëz zemërzinj e shpirtkazmë!
Mos i harroni të ngujuarit së paku një ditë në vit!

Të gjithëve iu bën të fala baca Anton Çetta!


Nuk jetohet 365 ditë në pritë, bre bacë!
Mos bëni hasm me dorën tuaj! As me fjalën tuaj mos bëni hasm!
Ai “hasmi” jem, unë “hasmi” i tij!
Në pritë, ti e ai, ditë e natë!
Hajt bacë, thuaj jetë kësaj!
Krejt jeta zgjatë sa qel e mbyll sytë.
Tak !

Të fala nga Anton Çetta!

Harroni pritat që po ua marrin jetën! Ecni rrugës kah ecë bota! Mos ecni shtigjeve të padukshme!

Kthehuni një ditë të vitit të fqinji juaj i ngujuar. Mos harroni të ktheheni edhe të ata të cilëve ua ka mbyll derën, bash ai që nuk ka menduar së ngujoi familjen e fisin e vet!

Tregoni të ngujuarit kush jeni! Nëse je shkrimtar, sillja ndonjë libër që ke shkruar së fundit! Ndoshta i ngujuari ka lexuar ndonjë vepër tende më të moçme. Sillja librin tënd të ri, sepse ai nuk ka guxuar të dal për ta blerë.

Kaloni një ditë me të ngujuarin dhe ndoshta mund të iu kujtohet fjala pajtim.

Ndoshta, kjo fjala pajtim mungon në fjalorin tuaj poetik. Ndoshta e keni përdorë rrallë, apo ndoshta keni harruar se edhe fjala pajtim gjendet në fjalorin e gjuhës shqipe (besa as në fjalor nuk kishte shumë shpjegim!)

Pasi ta kaloni një ditë më të ngujuarit, mund të shkruani ndonjë varg që do t’ju befasojë edhe juve. Një ditë qëndrimi me të ngujuarit mund t’ua përkujtojë ndonjë dimension krejt tjetër të shkrimit për jetën që nuk e keni imagjinuar asnjëherë deri tash.

Ai që ka vrarë është në burg ose në arrati! Të ngujuarit janë pengje pa vrarë askënd. Vrasësi nuk është aty! Prandaj …! Ai nuk ka menduar për familjen e tij që e ngujoi me dorën e vetë!

Nëse të ka mbetur në grykë fjala pajtim, nxirre sa më parë dhe të kthehet frymëmarrja!

Trokisni një herë në zemrat e të ngujuarve.

Filloni nga afër! Sakrifikojeni një nga 365 ditët e vitit tuaj krijues! Nuk është shumë për ju o shkrimtarë!

Të fala nga Anton Çetta!

Kurseni kohën të mos iu shkoi kot,
Mos u përpiqni të gjeni qetësi në gotë!

Shkoni, shihni! Nuk keni nevojë të flisni fare! Vetëm dëgjoni çka thonë të ngujuarit. Shkoni, kaloni një ditë me ta! Ju intelektualë, shkrimtarë e gazetarë, mjeshtër të fjalës, të ngujuarit i kanë shkruar të gjitha që ju nuk i keni hedhur në letër apo në rapsodi! Lexoni pa zë për të mos ua prishur qetësinë! Pamja e të ngujuarve flet vetë!

Ju, këngëtarë, nuk keni nevojë t’ia shtoni asnjë notë muzikore heshtjes në shtëpitë e të ngujuarve, që aty kafshon shpirtin

Mos u befasoni ju rapsodë! Mendojeni mirë këngën për pajtim që do të këndoni nesër.

Ju o mjekë, e dini se të ngujuarit marrin frymë ndryshe. Asnjëri prej tyre nuk e ka tensionin normal!

Të ngujuarit jetojnë në një botë tjetër të cilën na nuk e shohim. Diagnozën e tyre zor së mund ta shkruani vetëm për një ditë.

Nëse një ditë ngujuar iu duket pak, nxirrni një ditë besë për veti dhe për të ngujuarin.

Provojeni! Mund të kërkoni besë edhe me orë.

Ku me ditë! Pakkush i pyet të ngujuarit edhe sa ditë kanë besë!

Të fala nga baca Anton!

Secili nga ju të gjallët ia keni borxh nga një ditë në vit, pikërisht të ngujuarve, pasi jeni pajtuar me kanunin e besën, e jo me shtetin ligjor.

Do të pyesni se ku mbeti ligji e shteti?! Shtetin e bëjnë njerëzit, a!

Baca Anton iu bënë shumë të fala!

Pa pajtim mes jush, nuk ka ligj që ua kthen jetën normale.

Nëse pajtoheni mes veti mund ta bëni edhe shtetin për të mos iu mbetur ai vetëm nocion abstrakt, andrallë e juaj e zezë përjetë.

Nuk është shumë që nga 365 ditë që ka viti, secili nga ju o njerëz zemërbardhë të kaloni një ditë ngujuar!

Të ngujuarit nuk kanë asnjë ditë të lirë. Ata as nuk kanë të drejtë të kenë një ditë të lirë! Edhe kur iu japin besë ata bëjnë jetë me leje a!

Ata mund të mos flasin fare, por ju duhet ta lexoni heshtjen e tyre!

Nëse nuk e kuptoni atë heshtje, mos shkoni aty.

Asnjë gazetë as roman nuk e zë rrëfimin e një të ngujuari.

Mund të ngujoheni një ditë, por nuk e prekni dot përjetimin e të ngujuarit.

Përbrenda shpirtit të Bethovenit të shurdhër, vlonin tinguj rrëqethës që nuk i dëgjonte askush përveç atij vet! Ata tinguj i nxori me nota në pentagram.

Provoni ju o kompozitorë të shkruani simfoninë e heshtjes së të ngujuarit.

Simfonia e të ngujuarit të lë pa gjumë.

Të ngujuarit dëgjojnë e shohin ndryshe nga njerëzit tjerë!

Të ngujuarit shkruajnë notat muzikore në heshtje, dhe një ditë, ato mund të godasin rëndë ndërgjegjen tonë, por mund të jetë vonë.

Shkoni edhe në ato shtëpi që kanë mbetur shkret nga dora vrastare! Mos u frikoni të hyni nëpër korridoret e mbushura merimanga e pluhur. Mund të thyhet ndonjë dërrasë e kalbur diku kah prekni më këmbë, andej ku akoma enden shpirtrat e të ngujuarve, që ikën me mall të dritës!

Aty dikur kishte jetë! Shpirtrat e të ngujuarve janë aty! Ata dëgjojnë e lexojnë mirë çdo mendim e çdo hap që bëni.

Shumë të fala nga baca Anton këngëtarëve e rapsodëve!

Dëgjojeni gjëmën e një familjeje të ngujuar dhe të nesërmen do të këndoni këngën më të bukur të pajtimit që nuk është dëgjuar deri sot.

Shumë të fala nga baca Anton; sportistëve, atletëve, gjimnastëve, futbollistëve …!

Ta dini se të ngujuarit, nuk kanë shteg vrapimi, as sallë fizkulture as stadium futbolli. Edhe për të blerë bukë, ata dalin tinëz nga shtëpia.

Ata vrapojnë si era nëpër shtigje të padukshme. Kush kthehet gjallë është fitues i maratonës

Të ngujuarit kanë frikë nga drita!

Bota për të ngujuarit nuk është me shumë ngjyra! Ngjyrën e bardhë e shohin vetëm ëndërr.

Ata në terr ndihen më të lirë.

Provojeni atë terr edhe ju o njerëz zemërbardhë!

Një ditë ngujuar për ju nuk është shumë!

Silluani të ngujuarve fjalën pajtim, sepse vetëm ajo ua kthen shpresën për jetë njeriu. Ta dini se atyre asnjë fjalë tjetër nuk iu bën përshtypje

Paramendoni vetën vetëm një ditë të kaloni në pritë!!

O njerëz zemërbardhë!

Shumë të fala nga baca Anton!

Mos lejoni që të ngujuarit të lindin, të rriten e të vdesin në pritë!

Bota e të ngujuarve është krejt tjetër nga kjo që shohim!

Ju shkrimtarë e poetë që shkruani për fëmijë, dëgjoni nga goja e fëmijëve të ngujuar vargjet që nuk i keni shkruar kurrë.

Mos ua korrigjoni asnjë fjalë që thonë! Mjafton ta lexoni vetëm heshtjen e tyre!

Vetëm një ditë dëgjoni çfarë vargjesh kanë thurë fëmijët e ngujuar.

Lërini vashat të thonë pse janë plakur në errësirë!

Keni durim o ju njerëz zemërbardhë të rrini një ditë edhe pa fol!

Bashkojuni heshtjes së të ngujuarve një ditë të vetme!

Është zor të heshtni a?!

Të ngujuarit nuk i dëgjon askush çka thonë!

Të fala nga Anton Çetta!

Ta dini se të burgosurit nuk janë të ngujuar! Ata kanë roje!

Të ngujuarit nuk kanë roje!

Të ngujuarit i prishet heshtja vetëm kur bien në pritë!

Shumë të fala gjithë klerikëve të të gjitha besimeve, me shall e me mjekër, pa shall e pa mjekër!

Bashkohuni dhe lutuni me një zë për pajtim. Ta dini se edhe Ju keni shumë faje!

Ju priftërinj që e keni mallkuar vëllavrasjen, hiqeni atë po me atë fjalë me të cilën e keni shpall të mallkuar.

Kolonës suaj duhet t’i bashkohen të gjithë njerëzit zemërbardhë; mësues e arsimtarë, poet e shkrimtarë, punëtorë e bujq, sportist e këngëtarë.

Nëse edhe sot nuk bashkoheni, me nuk do të keni rast të dëshmoni se keni jetuar me njerëz.

Të fala nga Anton Çetta të gjitha mediave pa përjashtim, që keni harruar të shkruajnë për jetën e të ngujuarve. Transmetoni para çdo emisioni pamje nga pajtimet që keni parë me bacën Anton në Kosovë.

Në televizionet tuaja jepni pamje nga pajtimi e jo nga krimi që ka vërshuar ekranet.

Në ueb-faqen tuaj, të parën fjalë shkruani pajtimin!

Shumë të fala nga Anton Çetta!

Ta dini se Anton Çetta i printe kolonës, por punën e madhe ia lehtësuan njerëzit zemërbardhë që donin të sillnin liri për të gjallët e qetësi për të vdekurit.

Ashtu bëni ju të gjithë që keni parë nga afër si jetohet në besë e pa besë.

Ashtu i lironi edhe ata që veç pritës nuk mendojnë tjetër gjë në jetën e tyre!

Në trend

Më shumë
Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”

Botë
Ruben Amorim kritikon haptas yllin e Man United pas barazimit ndaj Ipswich Town

Ruben Amorim kritikon haptas yllin e Man United pas barazimit ndaj Ipswich Town

Premier League
Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Lajme

"Mund të shkojë deri në 1 milion dollarë?": Ekspertët tregojnë se çfarë mund të ndodhë, nëse SHBA nën Trump krijon një 'rezervë kombëtare me bitcoin'

Botë
Sulmi ukrainas me raketat britanike Storm Shadow, la të vrarë 500 ushtarë të Koresë së Veriut dhe një gjeneral rus

Sulmi ukrainas me raketat britanike Storm Shadow, la të vrarë 500 ushtarë të Koresë së Veriut dhe një gjeneral rus

Evropa
Cana thyen heshtjen dhe flet për përballjen Rumani - Kosovë: Dardanët nuk e kanë vendin në Ligën C

Cana thyen heshtjen dhe flet për përballjen Rumani - Kosovë: Dardanët nuk e kanë vendin në Ligën C

Përfaqësuesja e Kosovës
Kalo në kategori