Të dhëna të detajuara për indikatorë demografikë në nivel komunal - ASK publikon raportin

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar sot “Të dhënat Demografike sipas Komunave – Regjistrimi i Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave 2024” i cili paraqet një përmbledhje të detajuar të karakteristikave demografike të popullsisë së Kosovës, të bazuara në rezultatet e të dhënave të Regjistrimit të Popullsisë të realizuar në vitin 2024.
Në raport thuhet se ky regjistrim përfaqëson një nga projektet më të rëndësishme statistikore në nivel kombëtar dhe është realizuar në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira të rekomanduara nga Kombet e Bashkuara dhe Eurostat.
“Ky publikim përmban të dhëna të detajuara për indikatorë demografikë në nivel komunal, me synimin që të mundësojë përdorimin e gjerë të këtyre statistikave nga institucionet vendimmarrëse, hulumtuesit, organizatat ndërkombëtare dhe përdoruesit tjerë të statistikave zyrtare.
Ndër indikatorët e përfshirë janë: popullsia sipas gjinisë, grupmoshave, statusit martesor, gjuhës amtare, gjuhëve të folura, nivelit të shkollimit, aftësisë për shkrim-lexim, numrit të fëmijëve të lindur të gjallë, vendit të lindjes si dhe shtetësisë”, thuhet në njoftim.
Në këtë raport përfshihet popullsia sipas komunave dhe gjinisë, popullsia sipas komunave, vendbanimit urban-rural, gjinisë dhe grup-moshës, popullsia e moshës 15 vjeç e më shumë sipas statusit martesor, gjinisë dhe grup-moshës, popullsia e gjinisë femërore 15 vjeç e më shumë sipas llojit të vendbanimit dhe numrit të fëmijëve të lindur gjallë, etj.
Raportin e plotë me detaje mund ta lexoni KËTU: /Telegrafi/



































