Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka theksuar se Partia Demokratike e Kosovës nuk do të bëjë asnjë marrëveshje me Vetëvendosje dhe është i bindur se kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti, mund të dështojë sot në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit për formimin e Qeverisë së re.

“PDK e ka bërë të qartë që nga certifikimi i zgjedhjeve se në asnjë rrethanë nuk do të jetë pjesë e ndonjë koalicioni me LVV dhe as nuk do të japë votë për LVV”, ka deklaruar Tahiri teksa hynte në Kuvend.


Kur u pyet nëse PDK është e gatshme të marrë masa si e dyta në proces, Tahiri tha se kjo do të diskutohet pas seancës.

Ai shtoi se seanca e jashtëzakonshme është thirrur për të parë nëse kryeministri në dorëheqje ka shumicën parlamentare të nevojshme.

Tahiri ishte i rezervuar edhe për mundësinë e zgjedhjeve të reja, duke theksuar se qëndrimi i PDK-së do të bëhet i ditur menjëherë pas seancës, ndërsa shprehet i bindur se Kurti mund të dështojë. /Telegrafi/