Tahiri: Era e zgjedhjeve po ndihet qartë në vend

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka deklaruar se vendi tashmë po hyn në një klimë të qartë parazgjedhore.
Ai ka thënë se zhvillimet e fundit në institucionet e vendit tregojnë se fokusi është zhvendosur nga vendimmarrja drejt pozicionimit politik.
“Dje ishte një ditë dinamike, por mbi të gjitha dëshmi se institucionet tashmë po funksionojnë në frymën e përgatitjeve për zgjedhje”, ka shkruar Tahiri.
Sipas tij, në Kryesi është vërejtur një qasje e ngurtë nga Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes, duke refuzuar iniciativat e opozitës. Ai përmendi se rezoluta për vlerat e lirisë nuk u përfshi në rend dite si pikë e parë, duke e cilësuar këtë si standard të dyfishtë dhe reflektim të kalkulimeve elektorale.
Tahiri ka shtuar se, ndërkohë që këto përplasje politike vazhdojnë, proceset formale institucionale po ecin përpara. Ai përmendi përfundimin e intervistimeve për Gjykatën Kushtetuese me gjashtë kandidatë për seancë, si dhe vendimin që të martën të intervistohen 23 kandidatët për Këshillin Gjyqësor të Kosovës në Komisionin për Legjislacion.
“Kur i sheh të gjitha bashkë – bllokadat, refuzimet dhe vonesat – është e qartë se fokusi nuk është më vendimmarrja, por pozicionimi politik. Era e zgjedhjeve po ndihet qartë”, ka theksuar Tahiri./Telegrafi



















































