Sylvinho para ndeshjes me Andorrën: Është kundërshtar i vështirë, por besoj se do ta fitojmë

Kombëtarja e Shqipërisë është gati për sfidën e parafundit kualifikuese drejt Kupës së Botës 2026, që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Kuqezinjtë do të përballen me Andorrën të enjten mbrëma, në qytetin Encamp, me fillim nga ora 20:45.
Trajneri i Shqipërisë, Sylvinho, në konferencën për media të mbajtur të mërkurën, ka vlerësuar kundërshtarin dhe ka kërkuar përqendrim maksimal nga skuadra e tij. Ai ka theksuar se Andorra është një ekip i organizuar mirë në mbrojtje dhe se ndeshja do të kërkojë durim dhe kujdes.
“Janë dy ndeshje të ndryshme. Trajneri i Andorrës është për kohë të gjatë dhe njeh shumë mirë ekipin dhe lojtarët e tij. Në lojën defensive është i mirë dhe nxjerr maksimumin nga lojtarët e tij. Është ekip që pëson maksimumi dy gola dhe këtë e kemi parë edhe në ndeshjet tjera të cilat i kemi analizuar.
“Edhe në Tiranë ishte e vështirë në fillim, por kur shënuam golin e parë dhe të dytë ishim pastaj më të qetë. Kemi parë edhe ndeshjet tjera, ndaj Serbisë ishte baras në pjesën e parë. Është ekip i vështirë për t’u mposhtur, por unë shpresoj se nesër do t’ia dalim ta fitojmë ndeshjen”, ka thënë Sylvinho.

Tekniku brazilian ka theksuar se Shqipëria po kalon një periudhë shumë pozitive, jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe në zhvillimin e përgjithshëm të futbollit kombëtar.
Ai ka theksuar se skuadra është në një moment historik, shumë afër arritjes së një objektivi të madh — kualifikimit në fazën e plejofit për Botërorin.
“Po rritemi shumë si federatë. Kur rritemi ne, rriten edhe të tjerët sigurisht. Kjo shikohet edhe në rezultatet që kemi pasur në kualifikuese, Evropian dhe tash në kualifikueset e Botërorit. Diferencat në futboll tashmë po bëhen më të vogla dhe ky është pasioni që të sjell futbolli”.
“Kur luan jashtë është më e vështirë. Ne kemi treguar rezultate më të mira në shtëpi. Jemi në situatë të mirë, të cilën nuk e kemi pasur më herët në histori të kombëtares, që të jemi shumë afër kualifikimit në plejof. Shpresoj të kemi ndeshje të mirë nesër kundër Andorrës”, është shprehur Sylvinho.
Shqipëria ndodhet në një pozitë të favorshme në grup dhe fitorja ndaj Andorrës do ta afronte ndjeshëm me objektivin e madh – pjesëmarrjen historike në Botërorin e vitit 2026./Telegrafi/











































