Suspendohet zyrtari korrektues në Dubravë, dyshohet se plagosi një person

Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) ka njoftuar se një zyrtar korrektues është suspenduar nga detyra pasi dyshohet se është përfshirë në një konflikt ku ka plagosur një person.
Sipas njoftimit, bëhet fjalë për zyrtarin me inicialet Ç.SH, i cili ishte i punësuar në Qendrën Korrektuese të Dubravës.
SHKK bëri të ditur se institucionet kanë reaguar menjëherë pasi kanë pranuar informata nga Policia e Kosovës për përfshirjen e zyrtarit në këtë rast.
“Pas pranimit të informatave nga Policia e Kosovës se një zyrtar korrektues, me inicialet Ç.SH, i punësuar në Qendrën Korrektuese Dubravë, dyshohet të jetë përfshirë në një konflikt ku dyshohet se ka plagosur një person, institucioni ka ndërmarrë menjëherë veprimet e nevojshme,” thuhet në njoftim.
Sipas SHKK-së, në përputhje me legjislacionin dhe rregulloret në fuqi, zyrtari në fjalë është suspenduar nga detyra deri në përfundim të procedurave përkatëse.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës mbetet i përkushtuar për respektimin e ligjit dhe standardeve profesionale dhe do të bashkëpunojë ngushtë me institucionet kompetente për zbardhjen e plotë të rastit,” thuhet më tej në reagim.
Rasti pritet të trajtohet nga organet kompetente për të sqaruar rrethanat e plota të incidentit. /Telegrafi/




















































