Supremes i kërkohet shfuqizimi i Udhëzimit administrativ për lajmërimin e pensionistëve

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL), ka dorëzuar në Gjykatën Supreme padi për shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ (MPMS) për procedurat e lajmërimit, suspendimin nga pagesa dhe kthimin e mjeteve në rastet e keqpërdorimit të pensioneve.
Në një njoftim të CSL-së thuhet se Gjykatës i është kërkuar që në tërësi të shfuqizojë paragrafët 2, 3 dhe 4 të nenit 5 të Udhëzimit Administrativ.
Përmes këtyre dispozitave, thuhet se Udhëzimi Administrativ ka cenuar dhe vazhdon të cenojë potencialisht të drejtat e rreth 180 mijë pensionistëve në Republikën e Kosovës.
Për më shumë lexoni të plotë njoftimin e CSL-sw:
Dorëzohet Padi për shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ (MPMS) Nr.05/2015 për procedurat e lajmërimit, suspendimin nga pagesa dhe kthimin e mjeteve në rastet e keqpërdorimit të pensioneve
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Ju njoftojmë se Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL) me datë 23 Tetor 2025, ka dorëzuar në Gjykatën Supreme të Republikës së Kosovës:
𝐏𝐚𝐝𝐢 𝐩ë𝐫 𝐬𝐡𝐟𝐮𝐪𝐢𝐳𝐢𝐦𝐢𝐧 𝐞 𝐔𝐝𝐡ë𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐀𝐝𝐦𝐢𝐧𝐢𝐬𝐭𝐫𝐚𝐭𝐢𝐯 (𝐌𝐏𝐌𝐒) 𝐍𝐫.𝟎𝟓/𝟐𝟎𝟏𝟓 𝐩ë𝐫 𝐩𝐫𝐨𝐜𝐞𝐝𝐮𝐫𝐚𝐭 𝐞 𝐥𝐚𝐣𝐦ë𝐫𝐢𝐦𝐢𝐭, 𝐬𝐮𝐬𝐩𝐞𝐧𝐝𝐢𝐦𝐢𝐧 𝐧𝐠𝐚 𝐩𝐚𝐠𝐞𝐬𝐚 𝐝𝐡𝐞 𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢𝐧 𝐞 𝐦𝐣𝐞𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐧ë 𝐫𝐚𝐬𝐭𝐞𝐭 𝐞 𝐤𝐞𝐪𝐩ë𝐫𝐝𝐨𝐫𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐭ë 𝐩𝐞𝐧𝐬𝐢𝐨𝐧𝐞𝐯𝐞
Me këtë Padi, CSL ka kërkuar nga Gjykata që në tërësi të shfuqizojë paragrafët 2, 3 dhe 4 të Nenit 5 të Udhëzimit Administrativ (MPMS) Nr.05/2015 për procedurat e lajmërimit, suspendimin nga pagesa dhe kthimin e mjeteve në rastet e keqpërdorimit të pensioneve.
Përmes këtyre dispozitave, Udhëzimi Administrativ ka cenuar dhe vazhdon të cenojë potencialisht të drejtat e rreth 180 mijë pensionistëve në Republikën e Kosovës.
Ky cenim i të drejtave ka të bëj me aplikimin e ndërprerjes së pagesës për pensionistët që nuk janë lajmëruar me kohë në Zyrat Rajonale të Pensioneve e rrjedhimisht duke ua mohuar edhe të drejtën për kompensim retroaktiv të pagesave për periudhën kohore sa nuk është kryer procedura e lajmërimit.
Një rregullim (kufizim) i tillë me akt nënligjor cenon të drejtat dhe interesat e ligjshme të pensionisteve sepse kjo nuk është parashikuar me ligj.
Po ashtu, CSL përmes Padisë ka kontestuar ligjshmërinë edhe të 10 dispozitave të tjera të Udhëzimit Administrativ të lartcekur, duke vlerësuar se të njëjtat tejkalojnë autorizimet e Nenit 24 të Ligjit Nr. 04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti.
Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL) pret që Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës konform kompetencave të saj të aprovojë këtë Padi dhe që të shfuqizojë dispozitat e lartcekura.
Vendimmarrja pozitive nga gjykata për këtë rast mund t`i shërbej praktikës administrative dhe gjyqësore që aktet nënligjore të kësaj natyre të mos kalojnë autorizimet ligjore e rrjedhimisht të mos cenojnë të drejtat e qytetarëve, me theks të veçantë kategoritë e ndjeshme siç janë pensionistët. /Telegrafi/














































