Platforma “Superpuna” tash disa javë është jashtë funksionit, duke pamundësuar regjistrimin e punëtorëve, ndërsa bizneset rrezikojnë penalizime nga institucionet shtetërore për shkak të një problemi që nuk është i tyre.

Edhe nga Agjencia për Punësim e Republikës së Kosovës jo zyratisht i kanë konfirmuar pwr KosovaPress këto telashe. Madje thonë se kanë pranuar një numër të madh të ankesave për këtë shqetësim.


Krahas mosfunksionimit të platformës, ankesa të mëdha janë ngritur edhe për vonesat e pagesave dhe mungesën e sqarimeve institucionale për vazhdimin e programit në vitin 2026.

Drejtori Ekzekutiv i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovës, Kushtrim Ahmeti thotë se problemet me platformën “Super Puna” vetëm se po përsëriten dhe se ankesat nga bizneset për mosfunksionim të saj janë përsëritur edhe së fundmi, ashtu si në fund të vitit të kaluar.

“Në fakt, duket që kjo problematika e platformës Super Puna nuk është diçka e re, pasi që këtë çështje ne e kemi diskutuar para afërsisht, nëse nuk gaboj, diku vitin e kaluar nga fundi, mundet me qenë nëntor ose dhjetor, afërsisht me disa prej bizneseve të cilat ma kanë përmendur nëpër takime që janë duke hasur në telashe në funksionimin e kësaj platforme. Por, më pas duket që u kthye pa funksionim. Këto kohët e fundit, faktikisht edhe sot kemi pasur disa komunikime me biznese, të cilat na kanë lajmëruar që prapë kanë telashe me mosfunksionim të kësaj platforme”, shprehet Ahmeti.

Ahmeti theksoi se mosfunksionimi i platformës “Superpuna” po i vë bizneset në një situatë të vështirë, pasi ato rrezikojnë të penalizohen nga Administrata Tatimore për mos regjistrim të punëtorëve, ndonëse problemi buron nga vetë sistemi shtetëror.

Ai u bëri thirrje institucioneve që të mos ndërmarrin masa ndëshkuese ndaj bizneseve pa u verifikuar më parë se përgjegjësia nuk është e tyre.

“Në njërën anë, biznesi do ta regjistrojë punëtorin. Në anën tjetër, nuk ka qysh e mban punëtorin në punë pa regjistruar. Me e mbajtur në punë, rrezikohet që të penalizohet nga agjencia, nga Administrata Tatimore e Kosovës. Pse? Sepse nuk e ka, nuk e ka bërë regjistrimin e punëtorit. Në fakt, në këtë rast nuk është faji i biznesit, por është faji i sistemit prapë shtetëror në këtë rast, i cili nuk është duke funksionuar dhe shpeshherë po ndodhin këto telashe. Unë edhe në takime të ndryshme që kam pasur edhe me zyrtarë të Administratës Tatimore, po edhe me zyrtarë të tjerë shtetërorë, u kam kërkuar që mos të ndërmarrin veprime të menjëhershme, sepse duket që zgjidhja më e lehtë për shumë institucione të vendit është që t'i dënojnë menjëherë bizneset, pa e vërtetuar saktë se problemi nuk është te biznesi, por është problemi tek një shërbim ose një sistem që e ka nën mbikëqyrje ë qeveria e Kosovës ose shteti i Kosovës në këtë rast dhe që për një arsye ose tjetër i njëjti nuk funksionon”, deklaroi ai.

Njohësi i ekonomisë, Adem Qorrolli thekson se platforma për regjistrim ka pasur vazhdimisht probleme teknike, si në të kaluarën ashtu edhe aktualisht.

Por, sipas tij, shqetësimi kryesor është se përdoruesit nuk po mund të regjistrohen përsëri.

“Realisht sistemi i platformës ka pasur probleme dhe të mëhershme dhe kemi ankesa edhe të tashme. Po ajo që është shqetësuese është që nuk po munden të regjistrohen përsëri dhe a është tash problem i sistemit financiar, apo është problemi institucional që nuk po i financon ende. Dhe problemi i dytë është që nuk po kryhen pagesat me afat kohor 15 ditë pas përfundimit të muajit. Domethënë kemi ankesa që i marrin mbas dy muajve, tre apo ende nuk i kanë marrë të ardhurat e tyre, siç janë premtuar nga pako fiskale e Ministrisë së Financave, pako buxhetore e Ministrisë së Financave gjegjësisht për sektorin privat, gjegjësisht për bizneset”, thotë Qorrolli.

Sipas Qorollit, ka paqartësi institucionale edhe rreth vazhdimit të programit “Superpuna” në vitin 2026.

“Dhe ajo që është shqetësim i madh është që nuk e dinë ende, a ekziston mundësia e Super Punës dhe informatori kryesor institucional nuk po jep dritën e gjelbër që a ekziston edhe në vitin 2026 ky sektor. A ekziston edhe financimi? A është vetëm për sektorin privat, apo vlen edhe për institucione të tjera, apo financohet ende? Dhe ky është boshllëku që sot ne kemi shumë thirrje nga sektori privat dhe kemi shumë zëra nga fuqia punëtore që a ekziston kjo mundësi dhe pse nuk po paguhen mbetjet e punëtorëve të vitit 2025”, theksoi ai.

KosovaPress ka dërguar pyetje në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve dhe tek Agjencia për Punësim të Republikës së Kosovës lidhur me mos funksionimin e platformës “Superpuna” , por deri në publikimin e këtij raporti nuk kanë kthyer asnjë përgjigje.

Në fillim të vitit 2023 Qeveria e Kosovës kishte lansuar platformën “Superpuna” në mbështetje të sektorit privat në krijimin e vendeve të reja të punës për të rinjtë e moshës 18-25 vjeç.

Përmes kësaj platforme, çdo punëdhënës mund të angazhojë deri në 30% të stafit të tyre ekzistues, po që fillimisht duhet t’i shpallë vendet e lira të punës./KosovaPress